Janë bërë 25 vite kur vendi ynë i dha fund ëndrrës për liri. E gjatë luftës në Kosovë, një nga qytetet që nuk i shpëtoj dot vuajteve, ishte edhe Gjilani, ku sot më 15 qershor shënon ditën e çlirimit, shkruan Front Online.
Shukrie Ramadani në një rrëfim për Front Online, i kujton momentet më të mira me bashkëshortin e saj, Agimin, madje thotë se kur e sheh lirinë, i mungon ai edhe më shumë.
“Kam shumë ngjarje në kujtesen time, sepse kam qenë në lidhje të vazhdushme me Agimin, sidomos përmes telefonave në atë kohë. Sukseset për të cilat na njoftonte Agimi përmes telefonit, kanë qenë ato që janë treguar me krenarinë më të madhe dhe ato që janë ruajtuar në shpirtin tim, ai zëri i tij aq i gëzuar, dashuria e tij dhe dhimbja që une nuk isha me të në ato momente, kanë qenë të papërshkrushme. Këto me kujtohen shpesh dhe sot kur une e shoh lirinë dhe po e preki, them “ Agim, ti më mungon në këto momente”, është shprehur Ramadani.
15 Qershori për Ramadanin është ditë krenarie, pasi siq thotë ajo, përpos krenarisë, kanë edhe ndjenja të perziera.
“Unë mendoj që ndjenjat e të gjithë familjarëve që kanë humbur dikë në këtë luftë, janë ndjenja shumë të përziera, ngase janë ndjenja krenarie, të dashurisë dhe dhëmbshurisë për ata të cilët na e sollën këtë ditë dhe vetë nuk e përjetuan”, u shpreh Shukrie Ramadani.
Ramadani ka thënë se anamorava ka dhënë kontribut të madh në çdo luftë për lirinë e Kosovës.
“Anamorava në çdo luftë që është bërë për lirinë e Kosovës, vërtetë ka dhënë shumë vlera, shumë mbështetje dhe shumë trima. Ne kemi me dhjetëra djemë e vajza që janë bashkangjitur në luftë, kemi me dhjetëra heronjë që kanë rënë për këtë liri. Dhe tani, kur e shoh ushtrinë e Kosovës, paradat e tyre, për mua, është ndjenja më e madhe e krenarisë, sepse po e shohim që vërtet është duke lulëzuar liria”, ka thënë Ramadani.
“Dita e çlirimit është ajo që na dhemb dhe na gëzon më së shumti”
Gruaja e dëshmorit Agim Ramadani, Shukrie Ramadani, thotë se dita e çlirimit të Gjilanit sjellë për ta dhimbje dhe gëzim.
“Sukseset e Kosovës janë dashuria jonë më e madhe, është e arritura me e madhe, dhe thjeshtë të gjithë e dim që fal dhimbjes dhe atij gjakut të rënë, janë arritur ato suksese, për këtë, dita e çlirimit është ajo që na dhemb dhe na gëzon më së shumti”.
“Edhe në familjen time, si në çdo familje të dëshmorëve në Gjilan dhe në anaramoravë, kjo ditë është e veçantë. Mundohemi ta fshehim dhimbjen por është diçka që do të na përcjelll deri në pafundësi, sepse është diçka që na ka prerë lumturinë e që na ka ndryshuar jeten. Njejtë vazhdon të mbetet ashtu për shumë nëna, motra dhe gra të dëshmorëve, vazhdon të jetë një ditë e dhimbshme dhe krenarie, një ditë ku u mbrojtëm me dashurinë e më të mirëve tanë, që tregon që ajo dashuri, vërtet solli në jetë një produkt të veçantë, “Lirinë”, produkt ky që ne dhe gjeneratat e reja po e jetojmë sot”, ka thënë Ramadani.
Ndër të tjera, Ramadai thekson se përkujtimi më i mirë për dëshmorët është përmes sukseseve të gjeneratave të reja.
“Kemi një gjeneratë të sukseshme, krenohemi dhe mburremi me të. Për të rinjtë që po e gëzojnë lirinë ja vlenë të sakrifikohet. Këta duhet ta gëzojnë lirinë, nuk duhet të jetojnë siç kemi jetuar ne në robëri. Vërtetë gjenerata ime dhe ato të mëhershme, kemi vuajtur shumë. Duhet të pasqyrohet e kaluar jonë, dhimbja dhe nënshtrimi që na është bërë nën okupatorin. Këtu mendoj se kemi qaluar, nuk jemi te afte të tregojme sa na ka munguar liria dhe pse ne e kemi merituar këtë liri”, ka thënë ajo.
Komuna e Gjilanit sot shënon 25 vjetorin e çlirimit të qytetit, në kujtim dhe nderim të atyre që dhanë jetën e tyre në luftë