Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e konsideron si një precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen eksplicite të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për hetime ndaj medieve, posaçërisht gazetës Nacionale dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Një një postim publik sot, Presidentja në së paku dy raste u bën thirrje, si organeve të sigurisë edhe atyre të drejtësisë, që të hetojnë median në fjalë, pas publikimit të një lajmi rreth vrasjes së një personi mbrëmë në Ferizaj.
Për më tepër, akuza e përsëritur se mediat punojnë për Serbinë, është e papranueshme, dhe më e rrezikshme kur vjen nga kreu i shtetit.
AGK-ja, e fton Presidenten Osmani që për pakënaqësitë eventuale me raportimin t’i drejtohet me ankesë Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës (KMSHK). Është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e Etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes” vlerëson AGK.