Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka folur për pjesëmarrjen e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në Forumit të Komunitetit Evropian që po mbahet në Granada të Spanjës.
Ahmetaj tha se është momenti ideal që Osmani t’i informojë të gjitha shtetet pjesëmarrëse për ngjarjet në veri të vendit, duke mos i lënë mundësi, sipas saj, shteteve të tjera që të flasin në emër të Kosovës, e aq më pak presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ta prezantojë atë se çka ka ndodhur në veri.
“Formati dhe takimi i sotëm është vendi ku më së paku do të duhej të takohej Osmani me Vuciqin për arsye se ky moment do të duhej të shfrytëzohej duke i kontaktuar të gjithë presidentët dhe pjesëmarrësit e shteteve, dhe më pak t’i kushtohej vëmendje Vuciqit”.
“Me Vuciqin do të merren vetë shtetet tjera nëpërmjet formave të ndryshme se si ata e kanë menduar ta sanksionojnë atë. Pra, ide e qëlluar, vendim me vend dhe në fund të ditës, nuk është Osmani ajo që e ka udhëhequr dialogun, por është Kurti dhe mbetet ai që ta zgjidh këtë situatë”, tha Ahmetaj.
Më tej, ajo tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mundohen që përmes Osmanit ta gjejnë një zgjidhje përfundimtare për sa i përket marrëveshjes Kosovë – Serbi.
“E shoh kthimin e Osmanit si një ndërrim në politikën e jashtme të Kosovës për faktin se po e shohim që Kurti është përjashtuar në një formë nga politika e jashtme dhe çështja e dialogut në këtë fazë dhe BE-ja e ShBA-ja po mundohen që përmes Osmanit, si faktor më konstruktiv ta gjejnë një zgjidhje përfundimtare për sa i përket Kosovës dhe marrëveshjes me Serbinë”, tha ajo.