Ka përfunduar vizita e delegacionit të lartë të politikanëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, në krye me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin, në fabrikën “Comodita” në Gjakovë.
Ky delegacion nuk është shoqëruar në këtë vizitë nga asnjë zyrtarë nga institucionet e Kosovës.
Gjatë takimit të mbajtur për disa orë në këtë fabrikë, nikoqir për të parin e BDI-së, Ali Ahmeti, kabinetin qeveritar dhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, përveç drejtuesve të kompanisë “Comodita”, ishte edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Me këtë rast, Ahmeti para gazetarëve e quajti madhështor investimin e Devollëve në këtë fabrikë, derisa theksoi se nga puna që ofron kjo kompani, ushqehen pesë mijë familje.
Ahmeti: Pasuri më të madhe nuk ka për vendin sesa këta njerëz që rrezikojnë me investimet e tyre
“Kam kënaqësinë më të madhe për vizitën me ftesë të Shkëlqimit dhe të kompanisë më të madhe në vend “Devolli”, me të gjithë ekipin nga Maqedonia e Veriut, sigurisht kabineti qeveritar, kryetari i vendit. Për të parë këtë madhështi, gjithë këtë investim kaq të madh për Kosovën. Pesë mijë familje hajnë bukë nga ky organizim, pesë mijë familje organizojnë jetën, shkollën. Pasuri më të madhe, nuk ka për vendin sesa këta njerëz që rrezikojnë me investimet e tyre, kapitalin e tyre, energjitë e tyre mendore, njerëzore, që t’u hyjnë në shërbim njerëzve”, theksoi Ahmeti.
Ahmeti u shpreh se do të gëzohej dyfish më shumë, nëse kompania ‘Devolli’ do të shtrinte veprimtarinë e saj edhe në Maqedoni të Veriut.
Ahmeti: Do të gëzohesha dyfish më shumë, nëse kompania ‘Devolli’ shtrinë veprimtarinë edhe në Maqedoni të Veriut
“Vizita ka të bëjë, një kënaqësi të tillë do e kisha dhe një gëzim të dyfishtë do e kisha sikur kompania Devolli, jo shumë larg, përderisa kanë një varg dyqanesh të vogla në Maqedoninë e Veriut, në Shkup kryesisht, ky gjigand po me kaq kapacitete, mos të jetë koha e largët që kompania Devolli ta shtirijë veprimtarinë e vet edhe në Shkup dhe Maqedoni te Veriut. Mrekulli më të madhe dhe gëzim më të madh, jo vetëm unë po e gjithë ekipi kemi pasur gjatë kësaj vizite nëpër të gjitha repartet. Për t’i vizituar të gjitha repartet duhet një javë vizita jonë të zgjasë, por aty ku fillonte prodhimi dhe ku mbaronte cilësia”, tha Ahmeti.
I pyetur nëse do të shfrytëzon vizitën edhe për takime të tjera në Kosovë, Ahmeti mohoi duke thënë se sot vizita është në kompaninë “Devolli”.
Ahmeti të shtunën për vizitë në Gjakovë ishte i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, dhe shefi i grupit parlamentar, Arbër Ademi./