Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në Tepelenë, ku vdiqën 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.
“I pikëlluar për humbjen e katër jetëve dhe dy të plagosur në aksidentin tragjik të natës së sotme pranë Tepelenës. Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës është detyrim ligjor e përgjegjësi ndaj jetës. Ndërsa Policia Rrugore duhet të rrisë edhe më shumë kontrollet dhe forcën parandaluese”, shkroi Balla.
KRONIKA E NGJARJES:
Aksident i rëndë automobilistik në Tepelenë me pasojë vdekje. Tre automjete janë përfshirë në një aksident të ndodhur mbrëmjen e sotme në bypassin e Tepelenës, poshtë kalasë së këtij qyteti.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 4 persona, ndërkohë që në aksident janë përfshirë 8 shtetas.
Ka qenë drejtuesi i automjetit “Benz” ai që ka humbur kontrollin duke dalë në korsinë e kundërt dhe duke u përplasur me automjetin “Toyota Yaris”.
Në aksident është përfshirë edhe drejtuesi i mjetit “BMW” që ndodhej pas tij.
Policia ka njoftuar se si pasojë e aksidentit janë shkaktuar katër viktima ende të paidentifikuara, dhe dy të plagosur po marrin ndihmën mjekësore në spital.