Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aksidenti me emigrantët në Shqipëri ndez polemika për trafikimin me njerëz

Aksidenti rrugor në Shqipëri, ku humbën jetën 7 emigrantë pakistanezë, ktheu në vëmendje luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në këtë vend.

Qeveria thotë se ky fenomen po goditet gjithnjë e më shumë dhe se shifrat tregojnë rënie të rasteve. Për opozitën, ngjarja tregon se policia e shtetit nuk e ka nën kontroll territorin e vendit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha gjatë një debati në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se Shqipëria është pjesë e rrugës ballkanike që ndjekin emigrantët e paligjshëm për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Por, ai theksoi se, aktualisht, ky vend ka numrin më të ulët të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë në territorin e tij dhe shifrat më të larta të goditjes së trafikimit të qenieve njerëzore.

Megjithatë, ai nuk specifikoi se me cilat vende e krahason Shqipërinë.

“Gjatë vitit 2023 janë konstatuar 177 raste të kontrabandimit të emigrantëve – 9 prej të cilave për trafikim të të miturve. Kanë qenë 330 persona të përfshirë, nga të cilët 147 të arrestuar”.

“U kërkoj prokurorive dhe gjykatave të shprehen me vendime për të gjitha këto referime që ka bërë policia e shtetit”, tha Balla.

Ai shtoi se, prej vitesh, kufiri me Greqinë kontrollohet dhe patrullohet në bashkëpunim me policinë greke dhe me efektivët e agjencisë evropiane të policisë, Frontex.

Balla i bëri thirrje opozitës që të mos e politizojë çështjen.

Duke u ndalur tek aksidenti që ndodhi në fillim të kësaj jave, Balla tha se kërkon mbështetjen e opozitës për ndryshime në Kodin Rrugor, për të përmirësuar sigurinë rrugore.

Por, deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Ervin Salianji, tha se aksidenti në Këlcyrë tregoi se policia nuk ka kontroll në territorin e vendit.

“Duhet një aksident i rëndë për të kuptuar se Shqipëria është kthyer në ‘han pa porta’ ku kalojnë emigrantë të paligjshëm”, tha ai./rel