Policia e Singaporit ka sekuestruar asete me vlerë rreth 1 miliard euro, duke përfshirë shtëpi luksoze, makina dhe orë – në një nga hetimet më të mëdha të vendit kundër pastrimit të parave.
Shufra ari, çantat e stilistëve, verë e shtrenjtë dhe 23 milionë dollarë para të gatshme ishin ndër sendet e konfiskuara në bastisjen historike.
Në aksion policia arrestoi dhjetë persona, të gjithë me pasaporta të huaja. Bastisje të tilla janë të rralla në Singapor, e cila ka një nga nivelet më të ulëta të krimit në botë.
Policia e Singaporit tha në një deklaratë se bastisjet e njëkohshme u mbajtën në të gjithë qytetin-shtet të martën. Janë konfiskuar 94 shtëpi, shumë në lagje të shtrenjta, si dhe 50 automjete.
Dhjetë persona nga mosha 31 deri në 44 vjeç u arrestuan për krime të dyshuara për pastrim parash dhe falsifikim. Policia tha se të arrestuarit mbanin pasaporta nga Kina, Kamboxhia, Turqia dhe Vanuatu.
Grupi dyshohet për pastrim të të ardhurave nga krimi i organizuar jashtë vendit, mashtrim dhe lojëra të fatit në internet.
“Nuk ka asnjë tolerancë që Singapori të përdoret si strehë për kriminelët,” tha David Chew, drejtori i policisë për çështjet tregtare.