Prokuroria Vlorës ka përfunduar hetimet për ngjarjen tragjike në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja, Joanda Avdiaj pasi u godit nga skafi, teksa notonte në plazhin e Potamit.
Sipas prokurorisë, nën hetim për këtë ngjarje janë nëntë persona, të cilët akuzohen si persona përgjegjës për krimin e rëndë.
Prokuroria thotë se nga hetimet ka rezultuar se efektivi i Policisë, Arjan Tase, i cili përplasi vogëlushen, po drejtonte skafin pranë zonës ku nuk lejohej lundrimi i mjeteve të ujit. Efektivi Tase akuzohet për veprën penale” vrasje me dashje”.
Vogëlushja kishte ardhur për pushime bashkë me familjen nga Anglia, por për fat të keq, ajo u përplas për vdekje. Për tetë personat e tjerë janë ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, shkruan abcnews.al
Kjo ngjarje tragjike u dënua ashpër edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili paralajmëroi pastrimin e “drunjve të shtrembër” nga radhët e Policisë.
“Se kam harruar akoma ngjarjen tragjike të Himarës. Sot kur vala e madhe e reagimeve mbi plagën e sapo hapur është fashitur, por edhe pse jemi këtu në ministrinë e brendshme, kam dëshirë të ndaj një reflektim me publikun dhe me ju që jeni gjithë skuadra drejtuese e ministrisë dhe policisë. Dhimbja për një jetë aq të re, rrëmbyer egërsisht më ka gërryer me ditë e me netë, edhe tani që i lexoj këto rreshta, kam një ndjenjë revolte sepse shkelësi që u kthye në vrasës nuk ishte një pushues I zakonshëm por një punonjës policie, që duhet të jetë shembull I respektit për ligjin. Ky fakt e bëri tragjedinë jo thjesht të dhimbshme, por edhe revoltuese për shkak të profilit të autorit”, shprehej Rama për ngjarjen tragjike.