Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aktivitetet me moton ‘Njih Luginën’ shpalosin diskriminimet e shqiptarëve

Me ftesë të Këshillit Kombëtar të Luginës disa gazetarë nga Kosova janë duke qëndruar në Preshevë, për të marrë pjesë në një konferencë, e cila është pasqyrë mediale e gjendjes së shqiptarëve në këtë zonë me moton “Njih Luginën”.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në magazinën “Lajmet e Fundit”, gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda tregoi se po qëndrojnë me kolegët gazetarë për të parë së afërmi problematikat me të cilat përballen shqiptarët, ndërkaq ka veçuar edhe disa nga diskutimet e konferencës së sotme.

“Ajo që dua të shkëpus nga konferenca është se përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se bashkësia ndërkombëtare nuk po përdor standarde të njëjta në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë krahasuar me të drejtat e serbëve në Kosovë”, ka thënë Sejda në lidhje direkte.

Në mesin e kërkesave të politikanëve të Luginës ka qenë ardhja e dy emisarëve Lajçak dhe Borrell në vizitë për të parë problematikat e shqiptarëve, por kjo ende s’ka ndodhur. E një sfidë tjetër mbetet arsimimi në gjuhën shqipe.

“Nxënësit e shkollave të mesme ende s’kanë libra në gjuhën shqipe. Janë 4 gjimanze në Luginë dhe nxënësit e të gjitha paraleleve janë të detyruar të mësojnë me planprograme të planifikuara, por jo me libra shqip”, ka njoftuar Sejda.

Tutje gazetarja e RTK-së ka përmendur edhe faktin se shqiptarët diskriminohen edhe për punësim, e një nga fushat konkrete është shëndetësia.

“Në konkurset e fundit në shëndetësi pavarësisht arritjeve akademike dhe realizimit të kërkesave nga konkurset, aplikantët shqiptarë nuk po arrijnë të punësohen”, ka thënë ajo.