Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aktori pejan pas vërshimeve: Mos u lutni për Pejën, por kërkoni përgjegjësi, dikush duhet të japë dorëheqje

Qyteti i Pejës është përfshirë nga një katastrofë natyrore të shtunën.

Kjo pasi ai u vërshua nga reshjet e mëdha, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në mbarë qytetin, e për fat të keq edhe dy viktima, një nënë dhe djalin e saj.

Lidhur me ngjarjen pati solidarizim e reagime të shumta në rrjetet sociale, por disa prej tyre po cilësohen si “të vona” dhe “të panevojshme”, duke sugjeruar hartimin e një plani të veprimit dhe jo thjeshtë bërjen e lutjeve.

Një teori të tillë po e mbështet aktori Armend Baloku, i cili është lindur dhe rritur në këtë qytet.

Ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se duhet kërkuar përgjegjësi dhe veprim mbi rregullimin e çështjes së kanalit të Çokolicës – i cili mbetet problematikë e madhe për qytetin dhe shkaktari kryesor i dëmeve në rastet e tilla.

“Mos u lutni për Pejën, por kërkoni përgjegjësi. Me gjithë këto reshje shiu mund të na përsëritet prapë, e mandej na duhet prapë të lutemi. Fuqitë mbinatyrore nuk e rregullojnë Çokolicën. Pastrim dhe dënim të rregullt për secilin që hedh mbeturina nëpër kanale e lumenj. Dikush duhet të japë përgjegjësi. Dikush duhet të japë dorëheqje”, ka shkruar ai.

Armend Baloku përndryshe është i martuar me aktoren e njohur rugovase, Vlora Nikçi, dhe së bashku kanë një djalë.