Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se Qeveria Kurti nuk është ”qesharake“, ”amatare“ e as ”praktikantësh“, sipas saj është qeveri ”kriminale“, ”e rrezikshme“ dhe ’tradhtare“.
Këto akuza të Musliut vijnë pas përgjimeve të fundit të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës ku dëshmohet që ka biseduar me Milan Radojçiqin.
”Ata që për më shumë se dy dekada u bënë zëri shqiptar i propagandës armiqësore duke gënjyer, duke akuzuar dhe duke linquar jo vetëm kundërshtarët politik, por edhe vlerën më të madhe të kombit,luftën për liri, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot e vërtetuan se janë në koordinim të plotë me Milan Radojçiqin“, ka shkruar deputetja opozitare në Facebook, të martën.
”Albini e Mimoza, si dy politikanë sinonim për degradim personal dhe për zhveshje të politikës nga çdo nuancë e moralit njerëzor, duhet të japin llogari për pazaret me kriminelët serb të cilët po e mbajnë peng Kosovën“, ka vazhduar ajo.
Sipas saj, ”këta dy ekzemplarë të çorodotur politikisht dhe njerëzisht do të ballafaqohen me mentalitetin që e krijuan vet“.
”Nuk është më çështje e gjykimit moral, është koha për të folur ligji. Tana me u falë, tradhëtia nuk falet”, ka shprehur Musliu akuzat e rënda.