Gjatë stinës së pranverës numri i rasteve me alergji është në rritje. Lidhur me këtë temë e ftuar në emisionin “7pa5” ka qenë mjekja alergologe Alkerta Ibranji.
Ajo ka shpjeguar shkaqet e alergjive dhe ka treguar pse numri i rasteve ka ardhur në rritje.
“Ka një shtim të rasteve që është më i madh se në dekadën e kaluar. Alergji edhe te fëmijët dhe jo rrallë në moshat mbi 60 vjeç. Alergjia është një mbireagim i organizmit ndaj një substance jot ë dëmshme për shumicën. Ka shumë faktor që justifikojnë rritjen e numrit. Një ndër këto është ndotja e ajrit që është 20 herë më shumë se norma e lejuar. Një tjetër është stili i jetesës, kudo jemi larg natyrës. Një faktor tjetër është ngrohja globale e cila bën që sezoni i çeljes së gjithë bimësisë të mos jetë 6 apo 7 javë. Ky sezon vitin e kaluar ka zgjatur më shumë se 2 muaj e gjysmë”, tha Ibranji.
Më tej ajo ka dhënë këshilla për personat me alergji, teksa shpjegoi se pluhuri i shtëpisë është një nga shkaqet për alergji.
“Një pacienti alergjik i rekomandojmë të mos adoptojë një kafshë. Pluhuri i shtëpisë është gjithë vitin dhe simptomat i përjeton kryesisht në dimër. Është shkaktari numër një që të çon dhe drejt astmës. Kurse poleni është më agresiv”, tha mjekja, teksa shpjegoi edhe alergjitë ushqimore.
“Alergjia ushqimore është një problematikë shumë er madhe sepse jo vetëm të rrezikon jetën, por edhe se në vendet anglishtfolëse shënohen statistika në vdekjet nga kjo alergji. Ne ne vendet mesdhetare nuk e kemi pasur shumë këtë alergji. Alergjia nga qumëshi dhe veza në shumicën e fëmijëve zhduket deri në moshën 5 vjeç. Po shohim raste të konfirmuara me alergji nga karkaleci i detit dhe te fëmijët susami dhe soja. Çdo ndryshim në stilin e të ushqyerit, gjenetika jonë mban një memorie e cila njeh ushqime që prodhon ambient ynë. Me globalizimin do të ketë edhe ushqime që memoria jonë nuk i njeh si proteinë”, tha Ibranji. /vizionplus.tv