Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aliu: Kemi hapur zyrtarisht korridoret ajrore me Republikën e Shqipërisë

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka njoftuar se tashmë Kosova ka hapur zyrtarisht korridoret ajrore me Shqipërinë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky synim i kamotshëm shënon një arritje tejet të rëndësishme në fushën diplomatike të të dy shteteve.

Ministri Aliu ka pubikuar një video, në të cilat shihen disa pamje nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”.

“Fluturimet në drejtim të perëndimit dhe ato reciproke janë shkurtuar dukshëm, e përveç se po udhëtojmë lirshëm pa viza në zonën shengen, tani qytetarët tanë po përfitojnë substancialisht edhe nga optimizimi i kohës në udhëtime”, ka shkruar Aliu.

Ndërkaq ditë më parë, ministri ka thënë se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen për gati 15 minuta.

“Nga 1 janari, bashkëatdhetarët, përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, ka thënë Aliu.

Pas hapjes së korridorit ajror të Kosovës me Shqipërinë, përveç shkurtimit të kohës së fluturimit, pritet të zvogëlohet edhe çmimi i biletave.