Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal po raporton Komisioni i Pavarur për Media dhe Agjencia për Regjistrim të Bizneseve.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, Nebibe Haliti tregoi për vendimin e anuluar të 21 qershorit, të drejtoreshës së kaluar.
“Vendimin me 14 qershor e ka vendosur drejtoresha e kaluar, por më 21 qershor pa një kërkesë të Klan Kosovës, drejtoresha e ka shfuqizuar vendimin me arsyetim se në sportelat e ARBK-së e ka parashtruar kërkesën për ndryshim. Ky vendim është anuluar nga ana ime, me arsyetimin që nuk ka pasur kërkesë për shfuqizim të vendimit. Tani jemi në pritje për nxjerrjen e dy vendimeve”, tha ajo.
Ajo shtoi se ndryshimet e fundit që janë tentuar të bëhen, janë ndaluar nga ana e saj.
Po ashtu, theksoi se ka pasur mungesë të dokumentacioneve gjatë vitit 2008 dhe tha se ka adresuar këto probleme.
“Konsideroj që është e qëllimshme. Unë ndër të tjera, kam iniciuar procedurë edhe ndaj zyrtarëve për mungesë të përgjegjësisë”, shtoi ajo.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha se mendon që ky rast ka probleme politike.
Për këtë ka reaguar ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, për çka mohoi që ka ndikime politike.
Anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu theksoi se janë duke diskutuar që në të ardhmen të ketë kujdes gjatë licencimit të mediumeve, që të mos trajtohen si biznese të rëndomta.