Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasada Gjermane deklarohet për takimin Kurti – Vuçiq, kjo është kërkesa e tyre për marrëveshjen Kosovë – Serbi

 
   

Të enjten e 14 shtatorit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, do të rikthehen pas disa muajsh në tavolinën e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Pritjet ndërkombëtare për progres janë të mëdha.

Në një përgjigje nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë thënë se Berlini zyrtar vlerëson faktin që më 14 shtator do të mbahet takim i nivelit të lartë dhe kanë shprehur mbështetjen gjermane për procesin që e ndërmjetëson Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell dhe emisari Miroslav Lajcak.

Nga Ambasada e Gjermanisë kanë potencuar se është urgjente që Kosova dhe Serbia të angazhohen dhe përkushtohen plotësisht për de-eskalim dhe për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit.

“Është urgjente që të dyja palët të angazhohen plotësisht dhe të përkushtohen për de-përshkallëzimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, kanë potencuar nga Ambasada e Gjermanisë.

Këtë takim që do të mbahet në Bruksel, Gjermania e sheh si një mundësi të mirë për të lënë anash menaxhimin e krizave dhe për t’u rikthyer tek një proces kredibil dhe konstruktiv.

“Takimi ofron një mundësi të mirë për t’u larguar nga modeli i menaxhimit të krizave dhe përfundimisht për t’u kthyer në një proces të besueshëm dhe konstruktiv”, përfundon përgjigja.

Lidhur me këtë takim të nivelit të lartë në Bruksel, për DW ka folur edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se nga ky takim pret kthim në binarët e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

“Shpresojë që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë në plotni”, ka deklaruar Kurti.

Edhe emsiari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se është shumë e rëndësishme që duke trajtuar detyrimet dhe kërkesat që nuk janë zbatuar ende nga Marrëveshja e Ohrit të zgjidhen një mori çështjesh.

“ Shpresojmë që nëpërmjet trajtimit të detyrimeve dhe kërkesave që nuk janë zbatuar ende nga Marrëveshja e Ohrit, do të mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet, që nga zgjedhjet dhe deri tek targat e makinave dhe letërnjoftimet, dhe çështje të tjera që u shndërruan në burim përshkallëzimi. Është shumë e rëndësishme që të zgjidhim një mori gjërash”, ka thënë Escobar për “Zërin e Amerikës”.

Ai ka parlajmëruar masa ndaj të dy palëve në rast se s’do të ketë përparim në procesin e dialogut. Duke përmendur për Kosovën si gjëra që mund të humben për këtë vit si njohjet e reja, konferencë donatorësh, dialog strategjik me SHBA-në dhe marrëdhënie më e afërt me NATO-n. Escobar ka thënë se edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme.