Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasadori amerikan flet për shpronësimet: U zhgënjyem – në veri tensionet janë të ngritura

 
   

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësime në disa komuna në veri të vendit, vendim ky që ditë më parë, shtetet e Quint-it, Zyra e BE-së në Kosovë dhe OSBE-ja, reaguan, ndërkaq dje Qeveria doli me një sqarim ku tha se është zbatuar ligji në përpikëri rreth kësaj çështjeje.

Hovenier tha se askush nuk e konteston se qeveria e ka autoritetin të kryejë shpronësim toke, por shtoi se “në të gjitha shoqëritë demokratike, shpronësimi i tokës – marrja e tokës për shkak të nevojave të qeverisë për atë tokë, megjithë kundërshtimin e pronarëve, është diçka që bëhet si zgjidhje të fundit, diçka që bëhet në rrethana të skajshme”.

“Kur një gjë e tillë ndodh në pjesën veriore të Kosovës, ku tensionet janë tashmë të ngritura dhe ku qytetarët kanë dyshime nëse qeveria me të vërtetë po vepron në interesin e tyre, duhen pasur parasysh në veçanti ndjeshmëritë e komunitetit. Duhen përpjekjet maksimale për komunikim dhe një angazhim i plotë me komunitetin në një formë që nuk lë asnjë hapësirë për keqkuptim, me vëmendje për çdo detaj”, theksoi Hovenier në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Në Shtetet e Bashkuara, ai tha se sistemi gjyqësor përballet me çështje të shumta nga njerëzit që kontestojnë veprimet e qeverisë për të shpronësuar tokat pasi kjo është çështje e ndjeshme sepse njerëzit i duan pronat e tyre.

“Në rastin në fjalë, siç e thotë edhe deklarata jonë e përbashkët, jo vetëm e Shteteve të Bashkuara, por e të gjitha shteteve të Kuintit, Bashkimit Evropian si institucion dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, asnjëri prej nesh nuk e konteston ligjshmërinë e veprimit të qeverisë për të shpronësuar tokë, por kemi rezerva për formën se si po bëhet ky veprim. Kemi patur disa diskutime me Qeverinë e Kosovës për interpretimin e ligjit dhe për faktin se nuk mendojmë se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore”.

“Kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën se si qeveria është angazhuar me komunitetet e prekura nga ky vendim dhe kemi shprehur zhgënjimin tonë që këshilla jonë nuk është marrë parasysh”, theksoi diplomati amerikan në Kosovë.

Tutje, ai foli edhe për rregulloren e re të Bankës Qendrore për valutat.

“Ne nuk e kontestojmë – e kam thënë disa herë publikisht – që Banka Qendrore e Kosovës ka kompetencat ligjore, të drejtën dhe përgjegjësinë të vendosë rregulla për institucionet financiare dhe çështjet financiare në gjithë territorin sovran të Republikës së Kosovës, që përfshin pjesën veriore të Kosovës. Por mënyra se si është zbatuar ky vendim, na shqetësoi. U bë me nxitim, pa u njoftuar në kohë. Kur u bë ndryshimi në qarkullimin me euro në Kosovë, njerëzit patën një vit të tërë për t’u përgatitur. Në këtë rast, ka komunitete në Kosovë që ne besojmë jetesa e të cilëve sigurohet nga pensionet apo përfitimet e skemës sociale dhe mënyra se si u bë, nga perspektiva jonë, ishte pa e konsideruar këtë çështje mjaftueshëm në mënyrë që komunitet e ekspozuara, njerëzit e rrezikuar, të kishin ende përkrahjen financiare tek e cila mbështeten. Pra ne nuk e kontestuam ligjshmërinë, ne nuk e sfidojmë të drejtën e Kosovës të thotë se monedha që ne përdorim në bazë të ligjit në Kosovë është euro, ky është vendim i autoriteteve sovrane të Kosovës. Ne donim që qeveria të punonte me ne se si ta bëjmë këtë gjë. Ofruam ekspertizën dhe përkrahjen tonë për ta bërë në një formë që u jepte informacion të dobishëm atyre që prekeshin nga ky vendim, që merrte parasysh pasojat negative të këtij vendimi, që t’i shmangte ato dhe të bëhej në një formë që të mund ta mbështesnim”, potencoi Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë u shpreh se vendi i tij dëshiron të jetë “përkrahësi më i fuqishëm i qeverisë së Kosovës, i banorëve të Kosovës”.

“Duam ta shohim Kosovën të avancojë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Duam ta shohim Kosovën në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës. Por për ta ndihmuar Kosovën të arrijë këto qëllime, duam që qeveria të ndërmarrë veprime që u përgjigjen shqetësimeve që kemi ngritur, që avancon këto qëllime, që është në përputhje me zotimet që Kosova ka bërë në dialog. Këto janë ato i presim dhe pjesë e asaj që besojmë se po mungon së fundmi”, tha diplomati amerikan.

Ai nuk është i mendimit se do të ketë ndonjëherë një moment kur qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe amerikanët nuk do të mbështesin njerëzit dhe projektin e Kosovës.

“Është pjesë e ADN-së tonë. Thuhet se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, por mendoj se edhe Shtetet e Bashkuara janë vendi më pro-Kosovë në botë. Por kjo nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të bëjë ç’të dojë. Nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të marrë vendime politike për të cilat ne besojmë që minojnë atë që po mundohemi ta arrijmë bashkë, që është integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike, afrimi drejt anëtarësimit në BE, anëtarësimit në NATO, anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, tha Jeffrey Hovenier.