Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasadori gjerman thotë se kushtet e Kurtit janë “mbingarkim” i dialogut: Ajo çka pamë dje…

 
   

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka deklaruar se dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë “nuk duhet të mbingarkohet me kushtëzime tjera”.

Referuar kushteve të reja të bëra dje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, për çka edhe u pamundësua një takim trepalësh, Rohde tha se edhe ashtu në gjendjen siç është dialogu, ka vështirësi të mëdha.

Kurti dhe Vuçiq dje nuk u takuan dhe për Rohden kjo “është fatkeqe” teksa thotë se gjendja është e atillë që “Serbia po vazhdon të shkel Nenin 4” të Marrëveshjes Bazike për moskundërshtim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa kjo e fundit “nuk po lëviz para me Asociacionin”.

“Unë nuk jam as optimist e as pesimist, por siç e thatë me të drejtë, ka kushtëzime në këtë anë, Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen në Nenin 4, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim, dhe me një frymë që ta bëjnë këtë marrëveshje dokument të gjallë sërish, e jo ta mbingarkojnë me kushte të reja. Krejt çka mund të them është kjo. Dhe, ajo çka pamë dje nuk është rruga para.”

Diplomati gjerman thotë se Kurtit i “duhet vullnet minimal për kompromis” dhe se kjo “në veçanti, kur ju doni të bëheni anëtarë të një maçinerie kompromisi që është Bashkimi Evropian”, tha ai.

Rreth planit të fundit të BE-së se “Kosova duhet të nis procedurat për Asociacionin, dhe Serbia të njohë dokumentet, institucionet dhe simbolet shtetërore të Kosovës”, Rohde thotë se Gjermania qëndron “në mbështetje të plotë” të përpjekjeve të Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut.