Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasadori i Malit të Zi thotë se do ta përkrahin anëtarësimin e Kosovës në KiE

 
   

Ish-diplomatët po vlerësojnë se mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës më 17 maj, do t’i shkaktojë vendit dëme të mëdha të cilat do t’i vuajnë qytetarët. Derisa vlerësohet se me aneksin e Ohrit për Asociacionin veçse është pajtuar dhe pritet implementimi i tij.

17 maji ishte cilësuar si një datë historike për vendin, pasi që pritej që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Por, duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi që kjo pikë nuk do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave.

Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Kurti gjatë mbledhjes të së mërkurës, ku tha se anëtarësimi po u kushtëzohet me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, nëse diçka ndryshon në këtë drejtim, ambasadori malazez në Kosovë, Robert Çobaj, thotë se shteti i tij do të votojë pro Kosovës në këtë organizatë.

“Deri tani të gjitha deklaratat e zyrtarëve të lartë të Malit të Zi ishin se Mali i Zi do ta përkrahë Kosovën dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.

Por, mosanëtarësimi i vendit në KiE sipas ish-diplomatëve do t’i sjellë vendit pasoja.

“Tash në qoftë se nuk futet në agjendë i bie që pritet deri në një mbledhje të radhës tash kur mund të futet në agjendë presim të shohim për shkak se gjithmonë për çështje të tilla janë të rëndësishme edhe momentumet politike tani ka qenë një momentum i mirë dhe nëse i humbin dhe i kemi parasysh zgjedhjet e Parlamentit Evropian tani mund të ndryshojnë të ndodhë sikur për liberalizimin e vizave”, thotë ish-ambasadori Blerim Canaj.

Sipas ish-ambasadorit një gjë e tillë tashmë është e pashmangshme.

“Asociacionin e ka bërë në Bruksel dhe me zotimet e Brukselit por edhe me ankesin e Ohrit tani është çështja kur do të fillojë të implementohet ai. Kështu që nëse nuk e bën tani secili kryeministër i cili evuentualisht i fiton zgjedhjet do të jetë i detyruar ta bëjë pastaj, mund të ndodhë që Kurti nuk do ta bëjë tash për shkak të zgjedhjeve por nëse i fiton zgjedhjet domsoshëmrisht do ta bëjë pas zgjedhjeve”, thotë Canaj.

Edhe ish- ambasadori Albert Prenkaj vlerëson se për këtë, pasojat do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës.

“Kurse qytetarët e KS vazhdon t’u pamundësohet realizimit i të drejtave të njeriut të cilat kushtimisht mund t’i jenë thyer nga institucionet e Republikës së Kosovës. Për më tepër shtetit të Kosovës i shkaktohet edhe një precedent për mosanëtarësim në organizata tjera ndërkombëtare”, thotë ai.

Për Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE të hënën i kishin shkuar në takim kryeministrit Kurti edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.