Ambasadori izraelit në Uashington tha se një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – mund të arrihet “brenda ditësh”.
Ambasadori Mike Herzog tha për radion e ushtrisë izraelite më 25 nëntor se ka “pika që duhen finalizuar”. Por, ai tha se “ne jemi afër një marrëveshjeje” dhe se ajo “mund të arrihet brenda ditësh”.
Në mesin e çështjeve që mbeten të pazgjidhura është edhe një kërkesë e Izraelit që thotë se shteti rezervon të drejtën të veprojë nëse Hezbollahu shkel obligimet nga marrëveshja e re. Marrëveshja synon të largojë Hezbollahun dhe trupat izraelite nga jugu i Libanit.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Hezbollahu nuk i është përmbajtur një rezolute të Kombeve të Bashkuara që i dha fund luftës së vitit 2006. Në këtë rezolutë, palët kishin bërë kërkesa të ngjashme. Libani po ashtu ka akuzuar Izraelin se ka shkelur këtë rezolutë.
Ende është e paqartë nëse Libani do të pranojë kërkesën e Izraelit.
Optimizmi rreth arritjes së një marrëveshjeje vjen pasi i dërguari i SHBA-së mbajti bisedime me palët javën e kaluar, me synim që të arrihet një marrëveshje.
Hezbollahu nisi sulmet në kufi kundër Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmoi jugun e Izraelit, që nxiti luftën në Gazë.
Luftimet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan shtatorin e këtij viti, me Izraelin që nisi sulme masive ajrore në Liban dhe më pas nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.
Hezbollahu ka gjuajtur mijëra raketa në qytetet izraelite, përfshirë rreth 250 që i lëshoi më 24 nëntor./rel