Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasadori Rohde mbështet linjat e kuqe të KFOR-it për urën dhe kërkon shtensionim

 
   

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se mbështet plotësisht linjat e kuqe të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për urën kryesore mbi lumin Ibër.

Kjo urë – që ndan Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare me Mitrovicën Veriore me shumicë serbe – është e hapur për këmbësorët, por jo për vetura.

Misioni i KFOR-it ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë, dhe që secili vendim për urën duhet të merret përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga dialogu në Bruksel.

Çështja e urës është aktualizuar në javët e fundit pasi autoritetet e Kosovës kanë nisur të kryejnë inspektime në urë dhe kanë paralajmëruar hapjen e saj, pavarësisht se faktori ndërkombëtar beson se tani nuk është koha e duhur.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 13 gusht se hapja e urës në këtë kohë rrezikon ushtarët amerikanë, andaj nuk duhet të hapet.

“Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar kanë rezultuar me plagosje të ushtarëve të KFOR-it dhe civilëve, dhe kjo nuk duhet të përsëritet. Duhet të merret parasysh këshilla e ndërkombëtarëve”, ka thënë Rohde përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Në maj dhe qershor të vitit të kaluar, dhjetëra ushtarë të KFOR-it janë plagosur në protestat e disa serbëve lokalë në veri të Kosovës, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në tri komuna veriore me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Është e nevojshme një retorikë shtensionimi. Mirëpres koordinimin e përmendur prej kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit”, ka thënë mes tjerash ambasadori gjerman.

Kurti ka thënë në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 14 gusht, se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për hapjen e urës, fillimisht më 2015, më vonë më 2016, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Hapja e saj është zvarritur disa herë, dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje të jetë sërish temë dialogu./REL