Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasadori Rohde: S’po e kritikojmë Rregulloren e BQK-së por mënyrën e implementimit

 
   

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës e cila ka të bëjë me ndalimin e dinarit, nuk është kritikuar nga vendet e QUINT-it, por mënyra se si është implementuar.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë, ka thënë se nuk duhej të bëhej në atë mënyrë se si është bërë.

Sipas tij, nevojiten bisedime dhe kërkesa shtesë.

Ai thekson se nuk duhet të ketë eskalim të situatës ngase sipas tij nuk është mënyra e cila duhet përcjellur.

“Kjo është bërë në një mënyrë që nuk do të duhej të bëhej. Njerëzit duhet të jenë të informuar para së gjithash dhe nuk e kritikojmë rregulloren por ne shtetet e QUINT-it por me mënyrën se si është implementuar dhe njerëzit nuk janë informuar dhe janë frikësuar sidomos në një ambient të ndjeshëm të cilin e kemi. Kemi dialogun, kemi bisedimet andaj nuk nevojiten kërkesa shtesë dhe nuk duhet të eskalojnë tensione shtesë dhe nuk është mënyra të cilën duhet ta përcjellim”, tha ai.

Për Rohden, një nga mënyrat e zgjidhjes së kësaj çështjeje është diskutimi midis dy bankave qendrore.

“Ne gjithmonë flasim për standardet evropiane dhe qeverisja e mirë është një standard evropian dhe kjo do të thotë që t’i marrim njerëzit afër dhe ka qenë dinari çështje problem që një kohë dhe Serbia gjithashtu duhet të angazhohet në çështjet e Kosovës dhe transferet e euros dhe duhet të bëhet një mënyrë që kjo të zgjidhet, ndoshta dy bankat qendrore duhet të flasim mes vete dhe në kornizë të dialogut dhe kjo është platforma, ju gjithmonë keni mënyrat bilaterale për të zgjedhur problemet siç kemi zgjidhur tabelat e veturave, çështjen e rrymës e të tjera”, shtoi ambasadori Rohde.

Rohde është shprehur optimist se kompromisi dhe racionaliteti do të mbizotërojë.

Por, gjithashtu thekson se nuk është koha për eskalim. Ai thekson nevojën e dialogut.

“Jam optimist dhe shpresoj që kompromisi dhe racionaliteti do të mbizotërojë dhe qeveria ka thënë se do të ketë një periodë kur asgjë nuk ndodhë por për neve ende nuk është e qartë se sa do të zgjasë kjo. Ne jemi të bindur se kjo është një çështje teknike dhe do ta trajtojmë ashtu, është mirë të kemi udhëzime të qarta, afate të qarta, çfarë do të ndodhë dhe kur e pastaj publiku do të jetë më mirë i informuar. Kur kam lexuar gazetat që do të mbahen demonstratat nga ana e serbëve, do t’i bllokojnë rrugët, a është ky tension apo jo, ky është një tension dhe neve nuk na nevojitet koha për eskalim por na duhet dialogu”, shtoi ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria që ai udhëheq dhe institucionet e tjera kanë gatishmëri që të adresojnë “në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim” të ngritur lidhur me çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë.

Gjatë takimit me ambasadorët e akredituar në Kosovës më 5 shkurt, Kurti tha se gjatë periudhës tranzitore të zbatimit të rregullores së BQK-së, përqendrimi do të jetë “informimi i bizneseve të cilat operojnë me dinarë dhe në mënyrë të paformalizuar”, u tha në një njoftim për media.

Rregullorja për operacione me para të gatshme e BQK-së ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, mes kritikave dhe kërkesave të faktorit ndërkombëtar për Qeverinë e Kosovës që të shtyjë zbatimin e kësaj rregulloreje. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e kësaj rregulloreje te komuniteti serb në Kosovë.