Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analistët: Këtë vit në Kosovë mund të ketë zgjedhje të parakohshme

 
   

Partitë opozitare kanë deklaruar disa herë se gjatë vitit 2024 do të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, pasi sipas tyre, keqqeverisja e ka rënduar jetën e qytetarëve.

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se gjatë këtij viti mund të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi këtë vullnet sipas tyre, e kanë parë edhe nga partia në pushtet.

Analistja politike, Arta Tahiri-Beqa, tha për Radio Kosovën se zgjedhje të parakohshme mund të ketë dhe se tashmë ka filluar një lloj fushate nga partitë opozitare, e marrëveshje koalicioni. Ajo theksoi se zgjedhjet janë të lidhura edhe me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 “Duke ditur që kryeministri Kurti në vazhdimësi po e kundërshton realizimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ai deri më tani është munduar jashtëzakonisht shumë ta shtyjë një proces të tillë. Besoj se tashmë është dëshmuar se nuk do ta krijojë atë dhe do jetë një kartë e mirë nga ana e tij për të promovuar që nuk e realizoi Asociacionin dhe të marrë pikë mbështetëse nga qytetarët. Të gjithë akterët po dëshmojë që mund të ketë zgjedhje të parakohshme, por kemi edhe një opozitë që po krijon koalicione paraprake, por edhe angazhimi i të gjitha subjekteve politike me takime me strukturat e tyre, po dëshmon që është një frymë zgjedhore këtë vit”, ka Tahiri-Beqa.

Megjithatë, Tahiri-Beqa theksoi se zgjedhjet e parakohshme mund t’i kushtojë procesit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa theksoi se partisë në pushtet nuk është se po i intereson ecuria e dialogut, por si të sigurojë edhe një mandat në qeverisje.

 “Sigurisht që Kosovës do t’i kushtojë, por fatkeqësisht Kosovës i kanë kushtuar dhe do të vazhdojnë t’i kushtojnë shumë gjëra, për të cilat subjektet politike nuk brengosen se çfarë mund të pësojë qytetari ”, ka shtuar ajo.

Edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, tha për Radio Kosovën se të gjitha indikacionet janë se këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, ka një bllokadë politike për sa i përket procesit të dialogut dhe nëse do të ketë zgjedhje, atëherë ky proces mund të mos ketë asnjë zhvillim të rëndësishëm. 

 “Çështja kryesore për sa i përket zgjedhjeve të reja është se çfarë do të ndodhë në periudhën pas zgjedhjeve. Nëse do të ketë marrëveshje paraprake ndërmjet partive politike për sa i përket dialogut dhe krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, që të ndryshohet pozicioni i Kosovës, që të ketë një lloj pajtueshmërie për realizimin e kësaj kërkese të ndërkombëtarëve, atëherë zgjedhjet e reja do të kishin më shumë kuptim. Por, nëse shkohet në zgjedhje  edhe më pas edhe pas tyre sërish kthehemi në pikën e njëjtë, me sfidat e njëjta, veçanërisht kur është vit zgjedhor global, mendoj se kjo nuk do të ishte aq e logjikshme politikisht”, ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri mendon se nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, duhet të bëhen në harmonizim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, pasi sipas tij, në të kundërtën, Kosova mund të identifikohet si bllokuese e procesit të dialogut.

 “Me zgjedhjet në BE dhe në ShBA, askush nuk ka siguri dhe parashikim se çfarë mund të ndodhë. Edhe mund të dëmtohet procesi, sepse mundet që edhe në BE edhe në ShBA të vijnë në pushtet politikanë që nuk do ta kenë si prioritet çështjen e dialogut Kosovë-Serbi”, ka shtuar ai.

Sipas analistëve, partia në pushtet mund të dalë përsëri e para në zgjedhjet e ardhshme dhe janë subjektet e tjera që mund të kenë ngritje eventuale nga mbështetësit e tyre. Por, theksojnë se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund më të bëjë qeverinë pa një koalicion me njërën nga subjektet politike.