Fitim Mulolli, analist politik, pjesëmarrjen e Kurtit në Konventën e Partisë Demokratike në SHBA e sheh në përputhje me praktikat e zakonshme ndërkombëtare, ku partitë politike ftojnë mysafirë nga e gjithë bota në ngjarjet e tyre të rëndësishme.
Mulolli shton se partitë politike në perëndim e shohin këtë si normale,do të thotë pjesëmarrjen e liderit të një partie në një konventë të një partie tjetër dhe se ky lloj angazhimi nuk duhet të shkaktojë shqetësime për marrëdhëniet me Partinë Republikane në SHBA, pavarësisht nga tensionet e mëparshme mes Kurtit dhe këtij grupimi politik.
“Pjesëmarrja e Kryeministrit Kurti është bërë në suaza të marrëdhënieve të partive si motër, ku Partia Demokratike e Shteteve te Bashkuara te Amerikës e ka thirrë kryeministrin të marrë pjesë do të thotë në konventën e tyre në Çikago. Kjo le të themi është një protokoll ndërkombëtar i zakonshëm, ku partitë gjithmonë thërrasin mysafirë nga mbarë bota për të marrë pjesë në konventat e tyre partiake”.
Mulolli thotë se pjesëmarrja e Kurtit në Konventën demokrate nuk mund të ndikojë negativisht në relacion me Partinë Republikane.
“Mirëpo ne të gjithë e dimë se marrëdhëniet e kryeministrit Kurti veçse kanë qenë të tensionuara kohë më parë me Partinë Republikane, kështu që ajo mund të jetë më problematike sesa pjesëmarrja në këtë konventë”, deklaron Mulolli.