Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analisti politik vjen me një parashikim: Kjo parti ka gjasa që t’i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit

 
   

Analisti politik Skënder Kapiti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, ka gjasa përsëri që të fitojë zgjedhjet, që do të mbahen me 9 shkurt.

Në një shkrim të dërguar në gazetën “Bota sot”, Kapiti ka kritikuar opozitën, se ende nuk e ka marrë veten nga humbja në zgjedhjet paraprake.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kishte shansin të ringrihej fuqishëm me Vjosa Osmanin, por “elita e vjetër” e kësaj partie nuk e lejoi një gjë të tillë.

Shkrimi i tij i plotë:

Së shpejti, në Kosovë do mbahen zgjedhjet parlamentare të radhës, ku gjasat janë që përsëri të fitojë Vetëvendosje. Kjo për arsyen e thjeshtë, të asaj se opozita në Kosovë në këto 4 vite ajo akoma nuk ka dalë nga letargjia e arsyeve se përse ajo humbi, akoma ajo nuk e ka marrë veten, por vazhdon po me atë elitë politike drejtuese që ishte shkaktare e humbjes. LDK-ja është akoma në agoni politike dhe e paftë për të bërë një Vetting politik që do ishte jetik për të, ajo akoma nuk ka të artikuluar alternativë besimi e ndryshimi.

LDK-ja vazhdon me të vjetrën dhe me mosndarjen nga korrupsioni dhe me mosndarjen me ato politika të cilat ajo dhe ish-aleatët e saj i kanë bërë dëm të madh Kosovës. Nuk vazhdohet më tutje vetëm me retorika të rugovizmit. Me Vjosa Osmanin, LDK e kishte shansin për t’u ringritur fuqishëm, por elita e vjetër nuk e lejoi një gjë të tillë, gjë që e detyroi Vjosën të krijonte Lëvizjen “GUXO”, pra guximin për të vepruar, dhe zgjedhja e alancës së saj me LVV dhe Kurtin ka shënuar tashmë se ajo dhe mbështetësit e saj ishin në anën e duhur të historisë dhe në të mirë të Kosovës.

Dhe po kështu në këtë gjendje është edhe PDK-ja e Kosovës, pasi nuk ka as atje një reformim dhe ndarje serioze me autorët e shkaktarët e politikave të gabuara të ish-pushtetit të saj, dhe PDK as nuk ka bërë një analizë kritike se përse PDK arriti deri këtu. PDK-ja nuk mundet që të vijojë më me retorikën si trashëgimtare e luftës dhe as të përvetësojë më meritat e dhe vlerat e saj sepse vlerat e luftës së UÇK-së nuk janë pronë e një partie, pasi lufta heroike e UÇK-së i përket gjithë popullit shqiptar dhe është vepër e tërë kombit. Pra, lufta e UÇK-së është vepër kombëtare dhe asnjë parti politike nuk mund ta përdorë luftën për interesa politike e pushteti dhe as për të justifikuar dështimet kur ishte në pushtet.

PDK e Kosovës nuk duhet të vazhdojë e të konsumohet si avokati partiako-politike kundër drejtësisë që vetë ajo ka këmbëngulur dhe e ka votuar. Pra PDK-ja nuk duhet të veprojë siç po bën Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila është kundër drejtësisë dhe SHBA-ve pse ato kanë shpallur non grata ish-kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Politika është e pabesë dhe punon për interesa personale, dhe nëse atë nuk e vëzhgon pandërprerë demokracia dhe patriotizmi, dhe nëse nuk vepron ligji demokratik paanshmërisht, jokorruptivisht dhe jopolitikisht atëhere politika dhe sidomos pushteti bëhen kërcënim. Politikës, sidomos pushtetit mënjëherë sapo realiteti t’ia zbulojë asaj mashtrimet, zullumet, krimet, tradhtinë dhe korrupsionin, asaj politike i duhet bëri gjykimi, i duhet kundërvënë fuqishëm duke e demaskuar mediatikisht e publikisht si dhe menjëherë demokracia duhet që ta ndëshkojë e ta largojë atë nga pushteti. Kështu vepron një komb dhe një shoqëri demokratike, patriotike, e mençur, me moral dhe e pakorruptuar.