Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analisti tregon “çelësin e problemit” Kosova- Serbi, kështu duhet të veprojë Kosova

Kanë kaluar disa ditë që nga pajtimi i qeverisë së Kosovës për mbështetje ndaj zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat veriore, pas verës.

Sipas marrëveshjes së BE-së, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

Në anën tjetër, për shkak të tensioneve në veri, Brukseli në fund të qershorit kishte filluar zbatimin e disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe sipas raportimeve në media, këto masa do të hiqen varësisht nga zbatimi i obligimeve që merr Kosova dhe hapave tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet.

Në anën tjetër, sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Bislimi tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

Edhe pse më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe se diçka e tillë mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja, Bislimi tha se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre.

“Është problem i brendshëm i Kosovës për cilin nuk ka dakordim se a mjafton udhëzim administrativ, apo duhet ligj”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, analisti politik Muhamet Kelmendi, thotë se kërkesat e paraqitura dhe zbatimi i tyre duhet të varet edhe nga shteti serb.

Ai madje e konsideron Serbinë shkaktare të gjendjes në veri.

“Serbia është shkaktare e gjendjes në veri të Kosovës. Heqja e sanksioneve ndaj Kosovës shkojnë barazi me përmbushjen e tri pikave të paraqitura nga UE dhe të përkrahura nga SHBA-të. Zaten, përmbushja e tri (3) kërkesave të UE-së ndaj Kosovës janë kusht për heqjen e masave ndëshkuese. Kështu qëndron në kërkesat e paraqitura. Tash çka është para e çka prapa dihet. Mirëpo, zgjedhjet në veri, pa qartësi të luftës kundër krimit të organizuar serbomadh dhe vullnetit të pjesëmarrjes në zgjedhje nuk ka. Pra, kërkohen masa konkrete. Këto jo vetëm nga Kosova, por edhe nga shteti serb”, pohon Kelmendi.

 Image Muhamet Kelmendi 

Sipas tij, masat kërkohet të ndërlidhen edhe me Serbinë në mënyrë që zgjedhjet në veri të Kosovës të kenë sukses, në të kundërtën nuk ka deeskalim.

“Kosova duhet të veprojë kundruall Marrëveshjes së Bratisllavës. Por, edhe Serbia kërkohet t’i kapi kriminelët e sjellë në veri dhe të garantojë pjesëmarrjen në zgjedhje të minoritetit serb, pa veprime eskaluese. Së bashku duhet vepruar në deeskalim. Këtu është çelësi i problemit. Pra, masat kërkohet të ndërlidhen edhe me Serbinë, në mënyrë që zgjedhjet në veri të Kosovës të mbahem dhe të kenë sukses. Në të kundërtën, suksese nuk ka në deeskalim të gjendjes në veri të Kosovës, kuptohet vetëm me ndëshkimin e Kosovës. Pa e ndëshkuar dhe detyruar shtetin serb me masa konkrete paqësore, paqja në këtë rajon të Ballkanit nuk arrihet. Beogradi është shkaktar i gjendjes”, shton Kelmendi.