Korriku ka qenë aq i nxehtë deri më tani, sa shkencëtarët llogarisin se ky muaj do të jetë më i nxehti në histori dhe ka të ngjarë më i ngrohti që ka përjetuar qytetërimi njerëzor, edhe pse kanë mbetur edhe disa ditë për të djersitur.
Organizata Botërore Meteorologjike dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus, të enjten deklaruan se nxehtësia e korrikut është përtej thjesht thyerjeve të rekordeve.
Ata thanë se temperatura e Tokës ka kaluar përkohësisht mbi një prag të rëndësishëm të ngrohjes: objektivi prej 1.5 gradë Celcius i pranuar ndërkombëtarisht për të kufizuar ngrohjen globale.
Temperaturat ishin 1.5 gradë më të larta se koha para-industriale për një rekord prej 16 ditësh këtë muaj, ndërsa marrëveshja e klimës së Parisit synon të mbajë rritjen e temperaturës mesatare globale për 20 apo 30-vjet në 1.5 gradë.
Disa ditë tejkalimi i përkohshëm i këtij pragu ka ndodhur më parë, por asnjëherë në korrik.
Korriku ka qenë kaq i nxehtë në tre kontinente – Amerikën e Veriut, Evropën dhe Azinë – sa studiuesit thanë se një rekord ishte i pashmangshëm.
Vala e të nxehtit në pjesën jugperëndimore të SHBA-së nuk po tregon shenja ngadalësimi, ndërsa po përhapet gjithashtu në pjesën më të madhe të pjesës perëndimore dhe lindore me më shumë se 128 milionë amerikanë që po këshillohen të qëndrojnë brenda.
Shkencëtarët thonë se një thyerje e tillë e rekordeve të nxehtësisë është një sinjal për ndryshimet e ardhshme ndërsa planeti ngrohet. Këto ndryshime shkojnë përtej valëve të zgjatura të të nxehtit dhe përfshijnë më shumë përmbytje, zjarre dhe ngjarje ekstreme të motit që vënë shumë njerëz në rrezik.