Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analiza/ Serbia po përgatitet për luftë – Nuk është Kosova, ja shtetin që do ta sulmojë

 
   

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka alarmuar se shteti i Serbisë është duke u përgatitur për luftë në Ballkan.

Jo vetëm Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, por edhe autoritet shtetërore, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, si edhe përfaqësues e ekspertë ndërkombëtarë kanë bërë me dije se Serbia përgatitet për luftë në Ballkan. Në fakt është vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ai që çdo ditë kërcënon sidomos Kosovën me agresion ushtarak. Para pak ditësh tha se shembulli i Nagorni Karabakut në Azerbajxhan e bën optimist. E tha këtë në kuptimin se ashtu siç priti Bakuja për këtë rajon të banuar me armenë, edhe Serbia po pret momentin ta “rikthejë” Kosovën nën sovranitetin e saj”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, Vuçiq po e pret fitoren e Donald Trumpit në SHBA.

Në fakt Vuçiq po mendon se në Shtëpinë e Bardhë do të vijë Donald Trump dhe pas kësaj, thotë ai, vjen shansi i Serbisë. Për mua, ndonëse ai flet për rikthimin e Kosovës nën sovranitetin serb, e di se kjo nuk ndodh kurrë më. Por mesa duket llogarit në rikthimin e planit për ndarjen e Kosovës. Ky është projekti më i pëlqyer i tij, me qëllim që të nisë de facto krijimin e asaj që ai e quan Bota serbe. Por as kjo nuk mund të ndodh sa kohë që në Kosovë nuk do të ketë më ndonjë Hashim Thaçi të dytë, i gatshëm për të firmosur marrëveshje me copëtimin e saj”, deklaron Bytyçi.

 Image
 Enver Bytyçi 
 

Megjithatë Vuçiq përgatitet për luftë. Ta ngresh numrin e forcave speciale nga 1500 veta në 5000 gjithsej, siç thotë instituti në fjalë, është më shumë se përgatitje për luftë. Shumëfishimi i forcave speciale të Serbisë është rrezik shumë i madh. Sepse në një agresion pushtimi kundër Kosovës ose kundër Malit të Zi apo Bosnjë-Hercegovinës, trupat e zakonshme e kanë shumë të vështirë të kenë sukses. Avantazhi në mbrojtje ndaj një ushtrie normale është shumë më i madh sesa i forcave ushtarake në sulm. Vetëm forcat speciale mund të kryejnë aksione që mund të kenë sukses në një sulm ushtarak. Kjo është arsyeja pse Serbia kërkon një ushtri elite”, shton profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Vuçiq po llogarit një tension lufte jo në Kosovë, por në Bosnjë-Hercegovinë.

“Kosovën mund ta provokojë, por jo edhe ta sulmojë për shkak të pranisë së NATO-s-KFOR-it në territorin e saj. Unë besoj se Republika Srpska do të nisë ndonjë aventurë lufte dhe në këtë rast Beogradi nuk mund të përdorë ushtrinë në ndihmë të Milorad Dodik. I duhen forca speciale, të maskuara, me qëllim që të thonë se nuk janë të përfshirë ushtarakisht në konflikt të armatosur. Këto forca do të kryejnë punët e liga në Bosnjë Hercegovinë dhe Vuçiq beson se ia hedh paq”, thekson Bytyçi, për çka thotë se vizita e Daçiqit në Moskë është sinjal i qartë për këtë.

Vizita e Ivica Daçiq në Moskë këto ditë është sinjal i qartë se Serbia po kërkon të ekzekutojë detyrën e Vladimir Putin për të hapur një front lufte në Ballkan. Por ky front lufte është më i mundshëm në Bosnjë-Hercegovinë, sepse masha e konflikti, pra e zjarrit, është gati. Milorad Dodik është i gatshëm ta ndërmarrë këtë aventurë. Me këtë rast Serbia i përdor forcat speciale jo vetëm për shpërbërjen e shtetit të Bosnjë Hercegovinës, por edhe kundër Malit të Zi. Dhe vetëm nëse do të ketë sukses në këtë betejë, ai mund të sulmojë Kosovën. Kosova duhet të ruhet nga provokimet e tipit të aktit terrorist të Banjskës. Kjo mund t’i ndodhë asaj në çdo kohë. Gjë tjetër nuk mendoj se do të ndodhë”, shprehet Bytyçi.

Ai shton se Banja Luka dhe Cetinja janë dy vatrat më të rrezikshme të luftës.

Nuk do të sulmojë Vuçiq e Serbia Kosovën edhe për një arsye. Ata e dine se një luftë frontale me shqiptarët, aq më tepër kur në territorin e tyre është NATO, nuk mund ta fitojnë. Kroatët dhe shqiptarët janë kockë që nuk mund ta thyejnë. Sidomos tashmë që Kosova është shtet sovran dhe po punon fort për forcimin e aftësisë mbrojtëse të saj. Vërtet në Kosovë ka një minoritet prej 100-110 mijë serbë, por ky numër nuk është i mjaftueshëm për të pasur sukses në trazirat e brendshme. Në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi një e treta e popullsisë është me origjinë serbe. Në Kosovë vetëm 5 përqind. Në këto kushte Banja Luka dhe Cetinja janë dy vatrat më të rrezikshme të luftës”.

Megjithatë është me rëndësi që Kosova dhe shqiptarët në Ballkan të dëshmojnë gatishmëri dhe unitet përballë kërcënimeve serbe. Sa më të bashkuar të jemi ne, aq më pak ka gjasa që Serbia të bëjë Aventura kundër nesh. Sa më solidare të jetë politika shqiptare, aq më shumë do të tremben autoritet serbe nga reagimi “Një komb – një qëndrim” i shqiptarëve! Ndërkaq, kur rreziqet janë vërtetë kërcënuese jo vetëm për Kosovën, kur lufta mund të zgjerohet, institucionet e Kosovës e madje edhe ato të Shqipërisë, duhet të shtojnë fondet për mbrojtjen. Nëse dikush beson se armatimi dhe ndihmat mund të vijnë pasi të nisë lufta, ai gabon, sepse nuk dihet sa mundësi ka për këtë. Duhet punuar sot, që nesër të mos jemi të papërgatitur”.

Për fund, Bytyçi deklaron se shtetet shqiptare duhet urgjentisht që ta rrisin buxhetin për mbrojtjen.

Ushtria e Kosovës po financohet nga buxheti i shtetit me katër here më shumë sesa ushtria e Shqipërisë. Dhe ky është një tregues shumë pozitiv. Por edhe Shqipëria duhet ta shtojë buxhetin e saj për mbrojtjen. Me kaq pak investim mbrojtja shqiptare është e pa garantuar. Ata që besojnë se NATO Lufton për ne, gabojnë rëndë. Vendet anëtare të NATO-s mund të angazhohen vetëm atëherë kur shohin se vendasit, në këtë rast ne shqiptarët, bëjmë detyrën që na takon”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.