I dyshuari për vrasjen në Bon Vivant, Andi Pajziti, i është nënshtruar dje një operacioni në QKUK, i cili i ka zgjatë më shumë se pesë orë, tha avokati i tij Fanol Krasniqi.
Avokati Krasniqi shtoi se në ditët në vijim pritet që të konstatohet nëse “Italiani”, do t’i nënshtrohet edhe një tjetër intervenimi.
“Dje e ka pas një intervenim, i ka zgjatë pesë orë. Pritet pas disa dite me u konstatu se a ka nevojë për një tjetër intervenim. Po vazhdon në QKUK me qëndru, dje e ka pas një intervenimin pej orës 8:00-13:00, më shumë se pesë orë ka zgjatë”, tha avokati Krasniqi
I pyetur rreth raportimeve nëse ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të klinikës ku po qëndron Andi Pajaziti, avokati tha se pas këtij rasti është shtuar numri i policëve që po e ruajnë.
“Është shtuar numri i pjesëtarëve të policisë, tash është siguria shumë më e madhe. Andi ska mujt me përceptu se sa është larg krisma nga dritarja e dhomës ku po qëndron”, tha ai.
I njëjti tha se nuk ka njohuri nëse është hapur rast në polici apo prokurori për “krismën” që është dëgjuar afër klinikës ku po qëndron klienti i tij.
Ndërkohë, policia e as prokuroria nuk kanë konfirmuar nëse është hapur rast për këtë çështje apo është gjetur ndonjë gëzhojë në vendin e ngjarjes.
Andi Pajaziti apo siç e ka nofkën “italiani” ndodhet nën masën e paraburgimit për vrasjen që ndodhi me 4 gusht në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri vdiq K.R., 39-vjeç dhe u plagosën disa të tjerë.