Në fund të javës së ardhshme pritet që të përcaktohet agjenda e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe të ketë më shumë qartësi nëse Kosova do të kalojë edhe fazën finale të anëtarësimit në këtë institucion.
Së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të KiE duhet të jene në favor të Kosovës në mbledhjen e16 majit.
Nga vendet mosnjohëse vetëm Greqia mund të bëjë ndonjë lëvizje pozitive ndërsa Hungaria, Franca e Italia vlerësohen si më skeptiket nga krahu i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Në votim do të marrin pjesë 46 anëtarë, prej tyre janë 34 njohëse dhe 12 mosnjohëse. Prej tyre 34, ndoshta edhe Greqia voton pro ose ndonjë shtet tjetër, mundet me qenë 35, këta 35 po dihet deri tash që Hungaria, Franca, Italia, janë më skeptikë, pra votat janë aty duhet të punohet që të ndodhë”, shprehet Besnik Tahiri, anëtar i delegacionit të Kosovës në AP të KiE.
Tahiri thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim, madje qëndron më mirë se edhe disa shtete anëtare në aspektin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë.
Ai kërkon që Qeveria të angazhohet me secilin shtet për të konfirmuar votat “pro”, sidomos kur tashmë po kërkohet formimi i Asociacionit.
“Tanijanë disa kushte që ne nuk i dimë se nuk kemi komunikim. Këtë komunikim ka Qeveria. Qeveria duhet të bëjë gjithçka që të mos ia humb Kosovës këtë mundësi sepse ky nuk është një moment që ka ndodh, por është një proces, një punë e madhe që është bërë në Asamblenë Parlamentare” thekson Tahiri.
Për analistët politikë i gjithë skenari po shkon drejt kushtëzimit me Asociacionin. Qeveria duhet ta pranojë draft-statutin e propozuar nga europianët dhe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Sipas tyre, edhe dhënia e tokave të Manastirit të Deçanit nuk ka qenë kusht i shkruar por që i është kërkuar Qeverisë.
“Për faktin që (tokat e Manastirit të Deçanit) nuk ka qenë kusht i shkruar dhe i publikuar atëherë normalisht edhe kjo që lidhet me Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një kusht që është diskutuar në koluaret jopublike dhe mund të vijë deri te ajo që pastaj të vendoset kusht tamam eksplicit që Kosova duhet ta realizojë për t’u bërë pjesë e KiE, shpresoj të mos jetë ashtu, edhe besoj që nuk është e drejtë, por megjithatë, sinjalet e para janë që po shkojmë në drejtim të asaj”, thotë analisiti Arton Demhasaj.
Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ka thënë se Prishtina i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.