Nënshkruhet kontrata ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe konzorciumit fitues në ankandin e parë solar të Kosovës për centralin FV prej 100 MW në Kramovik.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli derisa ka theksuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe tranzicionin energjetik, ka thënë se me këtë projekt Kosova po dëshmon se po bëhet një mjedis i favorshëm në investimet e sektorit të energjisë.
Rizvanolli: Kosova po dëshmon që po bëhet një mjedis i favorshëm në investimet e sektorit të energjisë
“Ky ankand i suksesshëm do të jetë vetëm i pari prej shumë sosh që do të zhvillojmë në të ardhmen. Ndërsa, Kosova po dëshmon që gjithnjë e më shumë po bëhet një mjedis i favorshëm, i sigurtë për investime në sektorin e energjisë, dhe jo vetëm. Këto investime nuk janë vetëm për të ardhmen që e shohim për gjeneratat që d të vinë, por edhe për realitetin që përballemi sot, janë për një sektor më të qëndrueshëm, të pavarur dhe më të përballueshëm për konsumatorët…Shpresoj se do të jemi gjenerata e fundit që duhet të ndiejmë ndikimin e një krize energjetike të tillë…Presim me padurim që të punojmë së bashku përgjatë dy viteve të ardhshme në zbatimin e këtij projekti…E gjithë kjo është në dobi jo vetëm të sigurisë energjetike, por të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi ndikon edhe në përmirësimin e ambientit”, tha Rizvanolli.
Ajo po ashtu ka thënë se Qeveria Amerikane dhe USAID, kanë qenë partnerë kyç në sukseset e vendit në sektorin e energjisë.
Në këtë drejtim, Rizvanolli ka thënë se kapacitetet e thëngjillit do të mbetën në fuqi, mirëpo do të zvogëlohen gradualisht.
Rizavanolli: Kapacitetet e thëngjillit do të mbetën në funksion edhe për një kohë, po qëllimi është zvogëlimi i tij
“Siç kemi paraparë në strategjinë tonë të energjisë ne kemi faqe ambicioze sa i përket zhvillimit të burimeve të ripërtritshme të energjisë, por gjithashtu edhe të efiçiencës së energjisë, ndërsa kapacitetet tona të thëngjillit që janë bazë për sigurinë e furnizimit dhe kanë qenë për dekada, do të mbetëm në funksion edhe për një kohë, po qëllimi është zvogëlimi gradual i përdorimit të tyre në të mirë të ambientit, dhe ekonomisë. Investimet në këtë fushë do të jenë sa më të kufizuara, por e ardhmja e energjisë në Kosovë dhe qytetarëve do të jetë më e pastër”, ka shtuar Rizvanolli.
Në anën tjetër drejtori i “Groupe Orllati”, Avni Orllati ka thënë se përparësitë nga ky projekt janë të shumta.
Orllati: Përparësitë janë të shumta, përveç prodhimit do të nxisë edhe vende të punës
“Kjo ngjarje shënon një hap vendimtar në angazhimin tonë për një të ardhme më të qëndrueshme… Ky projekt i cili do të shtrihet në rreth 117 hektar është pjesë e ambicies së fortë të vendit për të zhvilluar prodhimin vendor të energjisë së ripërtritshme. Përparësitë janë të shumta, përveç prodhimit të energjisë së pastër, të ripërtritshme, ajo do të nxisë edhe krijimin e vendeve të punës dhe do të stimulojë ekonominë rajonale… Pra, 12 muaj pasi të lëshohet leja për ndërtim do të funksionalizohet centrali”, tha ai.