Tema e zgjedhjeve të parakohshme ka zgjuar kureshtjen e qytetarëve se cila prej subjekteve politike gëzon aktualisht mbështetjen më të fuqishme te kutitë e votimit.
Një anketë e realizuar nga Agjencia e Lajmeve KP, në të cilën deri më 25 maj kanë votuar 2083 respondentë, zbulon renditjen e partive politike në vend.
Ndonëse me shumë akuza nga opozita për mos punë në qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet gëzon më së shumti besim në radhët e qytetarëve.
Partia e Albin Kurtit, e cila ka shumicën në Kuvendin me 120 ulëse, vazhdon të prijë edhe më tej. Ajo ka marrë 41.72 për qind ose 869 vota të qytetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Memli Krasniqi, si e vetmja që iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kurtit për takim, renditet e dyta me 36.58 për qind ose 762 vota.
Në vendin e tretë renditet Lëvizja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut, me 15.36 për qind ose 320 vota, pasuar nga Koalicioni AAK-NISMA me 2.11 për qind ose 44 vota. Lista Guxo, e cila është pjesë e Vetëvendosjes, ka marrë besimin e vetëm 0.91 për qind të qytetarëve ose 19 vota.
Numri i qytetarëve të cilët “nuk e dinë” se për cilën parti do të votojnë është 68 ose 3.31 për qind.
Shkuarja në zgjedhje të reja është ri-aktualizuar pas takimit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili u refuzua nga LDK e AAK.
Data për zgjedhje caktohet nga presidentja e vendit pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi. PDK aktualisht ka propozuar 30 qershorin ose 7 korrikun si datë të mundshme të zgjedhjeve.