Deklarata e Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinakut mbrëmë i habiti të gjithë.
Ai tha se më parë do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, se sa të ikte nga Kosova.
Kjo deklaratë e tij ka ngjallur deklarata të shumta.
Disa po e mbështesin, e shumë prej tyre kanë dalë kundër kësaj deklarate.
Pikërisht, për këtë Klinaku është intervistuar sot nga Policia e Kosovës.
Të papranueshme një deklaratë të tillë e ka quajtur ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Anton Quni.
“Me mendësinë e mesjetës kur dikush e merr të drejtën për të kërcënuar e linçuar verbalisht apo fizikisht, është e papranueshme për një shoqëri të civilizuar”, ka deklaruar Quni.
Sipas Qunit, askush nuk ka të drejtë të rrezikojë jetën e tjetrit.
“Flijimi dhe sakrifica e luftëtarëve dhe dijetarëve për lirinë e Kosovës, në një shoqëri demokratike, vlerësohen dhe çmohen vetëm duke e fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit dhe duke i avancuar vlerat e demokracisë. Askush për asgjë nuk e ka të drejtën individuale të rrezikojë jetën e kujtdo qoftë”, është shprehur ish-komandanti Quni.
Ndryshe, për deklaratën e dhënë organizata joqeveritare “Lëvizja për Demokraci”, ka kërkuar arrestimin e Faton Klinakut.