Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Antropologia skoceze tregon për masakrën e Krushës: Kosova më mësoi shumëçka për jetën

 
   

Një telefonatë ia ndryshoi gjithë jetën.

Thirrja e cila pretendohej të ishte për darkë doli të jetë një pikë kthesë në karrierën e njërës nga shkencëtarët kryesore të mjekësisë ligjore në botë, Dame Sue Black.

Thirrja kishte të bëjë për ta mbikëqyrur një skenë krimi në Krushë të Madhe, gjatë vitit 1999.

“Ishte ditë e mërkurë kur pranova një telefonat nga një antropolog forenzik, i cili me pyeti çfarë do të bëja të shtunën. Mendova se po me ftonte për darkë por në të vërtetë ai ishte në Kosovë. Ai më tha se kemi një skenë krimi që nuk mund ta menaxhojmë por ne e dimë që t’i mund të na ndihmosh. Kur vendosa të shkoj, fillova të lexoj më shumë për Kosovën sepse doja të dija se ku po përfshihem si profesioniste”, thotw Dame Sue Black.

Me të mbërritur në Kosovë, ajo e pa seriozitetin e situatës për të cilin foli shoku i saj.

Tronditja e antropologes me atë çfarë bënë forcat serbe në Masakrën e Krushës së Madhe ishte e papërshkrueshme.

“Mua më thanë të shkoja në fshatin Krushë tek një shtëpi e bardhë që kishte dy dhoma. Aty i kishin dërguar rreth 40 burra shqiptarë në mesin e tyre kishte edhe të mitur. Të gjithë ata ishin vrarë me kallashnikov dhe më pas forcat serbe e kishin djegur shtëpinë, por trupat e pajetë kishin mbetur aty me ditë të tëra. Pra trupat e tyre ishin dekompozuar dhe fatkeqësisht ishin bërë ushqim për qentë dhe kafshë të tjera të egra. Kishte vetëm një mënyrë për të pastruar atë hapësirë, dhe ajo ishte ta bënim me dorë, duke mbledhur çdo gjë. Qëllimi ishte të mblidheshin pjesë të identifikueshme të trupit dhe sende personale, si dhe prova të krimit, duke përfshirë plumba dhe gëzhoja. Ne pastruam të dy dhomat dhe përfunduam procesin e identifikimit. Ishte tepër e vështirë ta bënim këtë punë kur e shihnim gjithë atë mizori, ndjenim keqardhje dhe dhimbje për viktimat”, shprehet ajo.

Puna për hetimin e gjurmëve të krimit që lanë ushtria serbe nuk kishte orar. Antropologia bashkë me ekipin e saj punonin deri në orët e vona të mbrëmjes, e kur terri binte në tokë konak i bëri një familje në Prizren.

“Pasi punonim me orë të tëra në mbrëmje qëndronim tek një familje në Prizren që ishin shumë të sjellshëm me ne dhe na përgatisnin ushqim, pavarësisht se nuk kishin edhe aq shumë për vete. Ata po e bënin këtë në shenjë falënderimi për punën që po e bënim në terren. Kjo eksperiencë në Kosovë ma ndryshoi tërësisht jetën. Kurrë nuk do ta harroj vullnetin e kosovarëve për jetë pavarësisht faktit se kishin përjetuar gjithçka, i kishin humbur më të dashurit e tyre”, thotë antropologia.

Dhimbja me të cilën u kthye në shtëpi ishte e madhe, por nga krejt kjo situatë ajo mori një mësim për jetën.

“E kuptova se mërzitemi më gjera kot gjatë jetës kur ka njerëz që kanë humbur fëmijët e tyre. Kur u ktheva në shtëpi kuptova se gjëja më e rëndësishme për mua ishin vajzat e mia sepse unë i kisha ato, kurse shumë kosovarë i kishin humbur. Kosova më mësoi shumëçka për jetën. Kosova do të mbetet në zemrën time për tërë jetën”, thotë Sue Black.

E dëshmitë që grumbulloi ajo së bashku me ekipin e saj në terren i dorëzoi në Tribunalin e Hagës, për çka tha se është shumë krenare.