Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për shantazh e vjedhje të 96 mijë eurove

 
   

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, lidhur me pjesën liruese për të akuzuarit B.R., dhe S.R., lidhur me veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj të akuzuarit F.M., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Shantazhi”.

Aktgjykimi i Apelit është marrë më 4 maj 2023, nga Kolegji i përbërë prej kryetarit Abdullah Ahmeti dhe anëtarë gjykatësit Kadrije Goga-Lubishani dhe Zyhdi Haziri, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, me aktgjykimin e 6 majit 2022, për veprën penale “Shantazhi”, të akuzuarin F.M., e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 1 mijë euro gjobë dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 8 muaj, ndërsa për veprën penale “Vjedhje e rëndë” e kryer në bashkëkryerje, e ka dënuar tre vite e gjashtë muaj.

Konform nenit 80, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.5 të KPRK-së, të akuzuarit i është caktuar dënim unik me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Po ashtu, të njëjti i ishte shqiptuar dënim plotësues, urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, ashtu që urdhërohej i akuzuari M., që të dëmtuarve S., N., dhe L.Sh., t’ua kompensojë dëmin, duke ua kthyer paratë në vlerë 96 mijë euro.

Kurse, të akuzuarit B.R., dhe S.R., për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, i kishte liruar nga akuza.

Kundër këtij, aktgjykimi në aftin ligjor ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Gjykata e Apelit, aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë që të akuzuarit B. dhe S.R., t’i shpallë fajtorë për veprën penale “Vjedhje e rëndë” e kryer në bashkëkryerje dhe t’iu shqiptojë sanksion penal sipas ligjit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit F.M, avokati Faik Morina, kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Apeli ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe çështjen ta kthejë në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim ose ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar, duke e liruar të akuzuarin nga akuza.

Përgjigje në ankesën e tij, kishte paraqitur mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokat Gazmend Halilaj, duke propozuar që të refuzohet tërësisht e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit dhe të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit me parashtresën e 15 shtatorit 2022, kishte propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë dhe aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që të akuzuarit B.R dhe S.R., të shpallen fajtorë dhe të njëjtëve t’iu shqiptohet sanksion penal, ndërsa ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar.

Lidhur me këtë, Gjykata e Apelit pas mbajtjes së seancës erdhi në përfundim se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit F.M, avokatit Faik Morina ishte e bazuar, ndërsa ajo e prokurorit e pabazuar.

Në aktgjykimin e Apelit, thuhet se aprovohet ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit F.M., Faik Morina dhe sipas detyrës zyrtare anulohet, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- dega në Drenas, i datës 6 maj 2022 dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rivendosje.

Tutje, në aktgjykim thuhet se refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- dega në Drenas, i datës 6 maj 2022, në pjesën liruese për të akuzuarit B.R dhe S.R., lidhur me veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 lidhur me nenin 31 në KPRK-së, si në pikën dy të dispozitivit, vërtetohet.

Kurse, ankesa e mbrojtësit lidhur me vendimin mbi dënimin për të akuzuarin F.M., tani për tani është jolëndore.

Sa i përket të akuzuarve B. dhe S.R., për shkak të veprës penale “Vjedhje e rëndë” si në pikën dy të dispozitivit, thuhet se janë liruar nga akuza. Të dëmtuarit S., N. dhe L.Sh., lidhur me të pandehurit B. dhe S.R., për realizimin e kërkesës pasurore-juridike janë udhëzuar në kontest civil.

Lidhur me pjesën liruese për të akuzuarit B.R dhe S.R., Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as me shkelje tjera, të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

Po ashtu, Apeli thekson se pretendimet ankimore të prokurorit për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk qëndrojnë, ngase gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë nga gjykata e shkallës së parë.

“Nuk është provuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale të përshkruar si në përshkrimin faktik të dispozitivit II të aktgjykimit të ankimuar…”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i kundërshtuar për pjesën liruese nuk përbën shkelje shkelje të Ligjit Penal e as shkelje të tjera, të cilat do ta kushtëzonin anulimin e vendimit.

Kurse, lidhur me të akuzuarin F.M., thuhet se qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se aktgjykimi i ankimuar duhet të anulohet.

Kjo ngase, shkalla e dytë vlerëson se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak se aktgjykimi nuk është përpiluar konform dispozitës 384, par.3, lidhur me nenin 368 të KPP-së, ngase ka kontradiktë mes dispozitivit me arsyet e theksuara në pjesën arsyetuese të aktgjykimit dhe se mungojnë arsyet për faktet vendimtare, kurse ato që janë dhënë thuhet se nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera lëndore, shkelje këto që kushtëzuan anulimin e aktgjykimit.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se Gjykata e shkallës së parë, në arsyetimin e saj lidhur me veprimet e të akuzuarit, nuk ka vlerësuar drejt gjendjen faktike, në situatën konkrete thuhet se kemi vlerësim të mjaftueshëm të të provuarit të fakteve dhe rrethanave të cilat krijojnë paqartësi në raport me veprimet inkriminuese të të akuzuarit, e që gjykata duhet të jetë e kujdesshme me rastin e nxjerrjes së rezultateve inkriminuese dhe vetëm mbi bazën e të provuarit të fakteve ta mbështesin aktgjykimin fajësues.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, thuhet arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë janë të pamjaftueshme, ndërsa ato që janë dhënë janë në kundërshtim me përshkrimin faktik të ngjarjes në dispozitiv të aktgjykimit, si dhe dëshmitë e të dëmtuarve, dëshmitarëve, si dhe provat materiale dhe nga kjo rrjedh se nuk është bërë vlerësimi i tërësishëm dhe i drejtë i provave materiale dhe i dëshmive të dëshmitarëve në kontestin rrethanave të kësaj çështjeje penale.

F.M., akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje, por sipas Apelit për këtë vepër penale është veçuar procedura penale, pasi thuhet se kjo gjykatë nuk ishte kompetente që në aspektin territorial dhe as lëndor të gjykojë për këtë vepër penale dhe lidhur me këtë është marrë aktvendim i veçantë.

Ndryshe, sipas aktakuzës, nga muaji gusht 2018, në Drenas, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, i pandehuri F.M.,e ka kërcënuar të dëmtuarën V., se do t’ia zbulojë fotot intime që do të dëmtojnë nderin dhe autoritetin e saj, ashtu që në vazhdimësi i ka kërkuar para të gatshme, në fillim 500 euro, pastaj 3 mijë e 500, 1 mijë e 200, herën e katërt 1 mijë dhe të pestën 2 mijë e 700 euro, në mënyrë që fotot në fjalë që i posedonte i pandehuri në telefon mos t’i publikojë në rrjetin social Facebook, Twitter dhe Instagram.

Sipas aktakuzës, e dëmtuara më pas e ka lajmëruar policinë.

Me këtë, sipas Prokurorisë, F.M., akuzohet ka kryer veprën penale “Shantazhi” nga neni 341, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se të pandehurit F.M., B.R dhe S.R., më 19 nëntor 2018, në Drenas në shtëpinë e të dëmtuarve S., N., dhe L.Sh., i pandehuri F.M., në bashkëkryerje me P.M (i cili gjendet në arrati), B.R dhe S.R., pas krijimit të planit dhe marrëveshjes së përbashkët paraprake, me qëllim që me përvetësimin e pasurisë së huaj të luajtshme vetes t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm, duke përdorur mjete të përshtatshme, kanë hapur derën e oborrit të fqiut të të dëmtuarve me forcë.

Sipas aktakuzës, kanë hyrë në oborrin e të njëjtëve dhe duke përdorë shkallë të drurit, kanë depërtuar në katin e dytë të shtëpisë brenda në dhomë, derisa të dëmtuarit ishin në katin e parë të shtëpisë, të njëjtit kanë arritur të marrin nga sirtari i rrobave një valixhe, në të cilën kanë qenë në fshehura para në vlerë prej 96 mijë euro.

Në aktakuzë thuhet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, me çka të dëmtuarve iu është shkaktuar dëm material në vlerën e lartekur.

Me këtë, thuhet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 2, pika 2.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i akuzuari F.M., më 28 shkurt 2019 në fshatin Gollubovc të Malishevës, konkretisht në shtëpinë familjare të të pandehurit, pa autorizim në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi dhe ka përdorur një armë të tipit AK-47, me dy karikatorë dhe 23 fishekë të kalibrit 9mm, e cila pas identifikimit nga policia është sekuestruar përkohësisht.

Me këtë, thuhet se F.M., ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.