Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arifi: Ky ishte i vetmi përparim i Qeverisë Kurti gjatë vitit 2023

 
   

Analisti politik, Dritëro Arifi, ka numëruar një varg që siç thotë ai janë dështime të kësaj qeverie në vitin 2023.

Ai ka përmendur edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, e për të cilat thotë se kjo qeveri nuk arrit t’i heqë ato.

“Nëse mund të themi dështimet më të mëdha janë pikërisht në sektorin e ekonomisë që nuk kanë arritur ta ringjallin as shpresën por as çështjet ku ekonomia e Kosovës përballet me sundim të dobët të ligjit, me ekonomi joformale. Dështim i radhës këtë vit janë edhe sanksionet apo masa e vendosura nga BE-ja që Qeveria nuk arriti në asnjë mënyrë që të paktën t’i heqë në këtë vit, po ashtu dështim është edhe reforma në drejtësi sepse ende nuk e ka arritur nivelin e  duhur të reformës, pra ka suksese shumë të limituara”, ka deklaruar ai për Fo.

Si dështim tjetër Arifi po e sheh edhe politikën e jashtme.

“Sa i përket mosnjohjeve këtu ka dështuar sepse Qeveria nuk ka pasur kapacitet të angazhohet për njohje të reja, por si përparim të limituar mund ta themi kalimin e  parë të fazës së Kosovës për anëtarësim në KIE”, është shprehur Arifi.

Analisti Arifi ka përmendur edhe ligjet të cilat po miratohen në Kuvend, e që pastaj po dërgohen në Kushtetuese dhe po shpallen antikushtetuese.

Sipas tij, kjo dëshmon dy gjëra.

“Një problematikë tjetër që këtë qeveri po e përcjell që nga fillimi deri tash janë edhe aprovimi i ligjeve jokushtetuese. Pra në momentin kur ato ligje po shkojnë në Kushtetuese 90% deri tash të ligjeve i ka humbur sepse kanë dalë ligje antikushtetuese dhe kjo dëshmon dy gjëra. E para që kjo qeveri nuk ka kapacitete njerëzore humane për tu marrë në mënyrë profesionale për tu marr me hartimin e ligjeve dhe e dyta është e qëllimshme sepse po tentojnë në forma joligjore në një farë forme ta kontrollojnë tërë pushtetin në Kosovë dhe kjo është shumë e dëmshme”, ka thënë ndër të tjera Arifi.

Kurse, si përparim e sheh marrjen nën kontroll të veriut, por që edhe për këtë pohon se ende nuk ka përfunduar e gjitha puna.

“I vetmi përparim që mund ta them është marrja nën kontroll e veriut, mirëpo pikërisht për shkak të këtij përparimi jemi dëmtuar në shumë aspekte tjera, pro sidoqoftë këtë mund ta themi që është përparimi më i madh i Qeverisë Kurti, mirëpo edhe aty ende nuk ka përfunduar puna edhe aty”, ka shtuar ai.