Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arifi letër Kurtit: Nëse dialogu ndërpritet, shqiptarët në Luginë janë në shenjëstër të një grupi terrorist

Kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes së cilës ka kërkuar nga kreu i Qeverisë që mos ta ndërprejë dialogun me Serbinë.

“Shqiptarët e Luginës kanë qenë të dënuar, të pambrojtur dhe të diskriminuar për 30 vjet dhe në 10 vitet e fundit edhe të pasivizuar nga adresat e tyre”, thuhet në letër.

Në këtë letër, Arifi ka thënë se nëse dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ndërpritet atëherë shqiptarët e Luginës së Preshevës janë në shenjëstër të një situate apo grupi terrorist.

“Është jetike për ne të aktivizoni të gjitha kanalet e komunikimit diplomatik, për të garantuar siguri për shqiptarët në Luginë. Përndryshe, Lugina e Preshevës me veriun mund të bëhet “fuçi baruti””, thuhet në letër.

Arifi të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe ditë më parë, theksuar se qytetarët dhe ai vetë janë nën stres dhe shqetësim për shkak të kësaj ngjarjeje dhe situatës së përgjithshme të pasigurisë në rajon.

“Edhe tek ne mundet të zhvillohet një situatë e tillë, ku ne nuk kemi as Policinë tonë, ku ne nuk kemi as kompetenca në siguri, ku hynë e del gjithkush si të dojë në Luginë të Preshevës. Këtu mundet të bëhet edhe një hapësirë e eskalimit të situatës, sepse nga ajo çfarë ndodhi në veri të Kosovës, tregon që dikush është i interesuar tejet mase për ta eskaluar situatën në rajon”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë thirrje për ndihmë dhe mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar për të parandaluar eskalimin e situatës në rajon.

Edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka shprehur frikë për ndonjë hakmarrje nga Serbia.