Ish-koordinatori i dialogut, Kosovë – Serbi, Avni Arifi duke folur për bisedimet e palëve në Bruksel lidhur me dinarin, ka thënë se propozimet e palës serbë për këtë temë janë ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kosovës.
Arifi, ka konsideruar se nga menaxhimi katastrofal i kësaj çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës, Serbia është bërë palë dialoguese për dinarin, çka sipas tij nuk është dashtë të ndodhë kurrë.
“Pala serbe, jo vetëm që përzihen por ata do të vijnë me propozime se si me zgjidh çështjen e dinarit. Serbia është bërë në këtë temë palë që nuk është dashtë kurrë me qenë. Ata vijnë më propozime konkrete për t’i rregulluar temat e brendshme të Kosovës. Kjo është një absurd për një temë që nuk është as rregullorja vet, sepse rregullorja ka përkrahje. Është një menaxhim katastrofal i një teme nga ana e Qeverisë së Kosovës”, është shprehur ai.
Ndërkohë, ai ka thënë se diskutimet për dinarin, janë një problem artificial.
Sipas Arifit, kjo qeveri e ka bërë praktikë të gjejë kundërshtar aty ku nuk ka dhe kjo siç thotë ai po i kthehet boomerang institucioneve të Kosovës.
“Ky është një problem artificial, krejt koti që nuk i është dashtë Kosovës, një vendim që akceptohet nga të gjitha vendet që kanë interes në Kosovë. Mirëpo problemi kryesor dhe i vetëm ka qenë mënyra e implementim të saj, ku është dashtë kohë më shumë. Qeveria e Kosovës e ka bërë praktikë me gjetur kundërshtar edhe ku nuk ka. Gjeti kundërshtar dhe po i kthehet si boomerang institucioneve. Qëndrimet e qeverisë në lidhje me këtë temë kanë pësuar një metamorfozë totale”, ka shtuar ai.
E kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dje pas takimit tha se në Bruksel është diskutuar për dy tema dhe që janë dakorduar që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit.
“Ftesa iu ka pasur dy tema në agjendë. Tema e parë ka pasur avancimi i marrëveshjes bazike e aneksit implementues, si dhe tema e dytë është çështje të tjera. U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi.