Politologu Dritëro Arifi, ka thënë se qëndrimi i liderëve të shteteve evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Italisë sa i përket draftstatutit të Asociacionit, nuk do të ndryshojë dhe do ta njohin vetëm atë që e ka propozuar Bashkimi Evropian.
Ai ka thënë se letra e dërguar nga Qeveria në KiE se do ta bëjë draftstatutin për Asociacionin është një lloj “aksham pazari” për të manipuluar popullin.
“Vetëm drafti evropian do të bëhet. Ky mund të jetë një tentim i aksham pazarit, dhe një lloj manipulimi brutal ndaj qytetarëve të Kosovës. Tash me siguri mund të ketë ndonjë urgjencë e dërgojnë sonte ose nesër në Gjykatën Kushtetuese ose ky rast humbet”, ka thënë Arifi.
Arifi ka folur edhe për deklarimin nga Presidenca, e cila ka thënë se letra e dërguar nuk ka qenë në koordinim me ta.
Ai dyshon se presidentja Vjosa Osmani s’ka qenë e informuar për letrën e dërguar në KiE.
Sipas tij, në qoftë se Osmani s’do të ishte e informuar do të ish dashur të kërkojë nga kryeministri Kurti dorëheqjen e ministres Gërvalla.
“Nëse presidentja po thotë që nuk ka qenë e informuar, që dyshoj shumë. Por, po e marr të mirëqenë. Por, prapë po dyshoj se po të mos kishte qenë e informuar, presidentja ish dashtë automatikisht me thirr kryeministrin me i kërkuar me shkarku ministren. Kjo është skandaloze. Nëse është e tillë – nëse është e vërtetë. Duhesh të tregosh lidershqip, nuk duhet të fshihesh pas derës pse je presidente. Këto çështje janë serioze”, deklaroi ai.