Policia e Kosovës, më 29 shtator bastisi pronat e Milan Radoiçiqit në veri të vendit.
Në mesin e tyre ishte edhe një vilë super-luksoze e ndërtuar buzë Ujmanit.
Pamjet nga brendësia e saj që i publikoi Policia tregonin enterier luksoz. Por, edhe pamja nga jashtë e incizuar me dron shfaqte një hapësirë të madhe ku ishin ndërtuar një shtëpi e madhe dhe disa objekte tjera përcjellëse.
Bastisja erdhi pas sulmit terrorist që një grup prej rreth 30 personash sulmuan një patrullë policore duke lënë të vdekur policin Afrim Bunjaku.
Këtë grup terrorist po e udhëhiqte hiç më pak dhe hiç më shumë se nënkryetari i partisë Lista Serbe, Milan Radoiçiq.
E për të folur për vlerën e kësaj prone, në studion e Orës 7 në Klan Kosova ishte arkitekti Ideal Vejsa, për të folur në lidhje me vlerën e saj.
Ai tha se vila e Radoiçiqit, pa e përfshirë parcelën pasi e njëjta duket se është tokë shtetërore, kushton rreh 5 milionë e 100 mijë euro.
Pas analizës së videove dhe pamjes së vilës nga lart në emisionin “Ora Shtatë”, duket se është përafërsisht 4 mijë metra katror ndërtim.
Vejsa tha se enterieri duket se ka kushtuar 3 milionë e 300 mijë dhe eksterieri rreh 1 milion e 900 mijë.
Ndërsa pjesa e gjelbërimit në përgjithësi, duke përfshirë elementet e tjera, sipas arkitektit Ideal Vejsa, mund të kushtojë 270 mijë euro.
Kurse plani ndërtimor për këtë vilë mund të ketë kushtuar prej 150 deri në 200 mijë euro.