Në vazhdimësinë e bastisjeve lidhur me sulmin terrorist që ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator, gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka konfiskuar edhe njëherë sasi të madhe armatimi, armatim ky që i përkiste grupit terrorist serb.
“Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë. Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë. Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist. Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës”, ka shkruar Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës pas kapjes së armatimit nga Policia e Kosovës.
Se armatimi i kapur është dëshmi se Serbia kishte plan për aneksimin e veriut të Kosovës e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
“Skenarët që mund të ishim ballafaquar në formate të ndryshme, tani më kjo po është e qartë dhe gjithë bota perëndimore e ka kuptuar këtë. Armatimet që janë duke u gjetur kryesisht në lokacione të ndryshme në veri, po dëshmohet që Beogradi me grupet e saja kriminale për t’i futur në territor ka vepruar ku pastaj formacionet paraushtarake të ndërmarrin veprime në mënyrën e një lufte të shpejt me përmasa të karakterit territorial brenda Kosovës”, shprehet Shala për “Bota sot”.
Ai paralajmëron se ka rrezik që Serbia të kryej veprime të njëjta terroriste ndaj shtetit të Kosovës.
“Projeksionet japin një potencial të lartë të agresionit parapërgatitor për veprime identike edhe në të ardhmen, në rast se niveli politik i Beogradit ta gjej një momentum të ri gjeopolitik që gjendet hemisfera veriore e botes”, thekson Shala.
“Vazhdimi i hetimeve që janë duke u zhvilluar nga ana e Policisë së Kosovës, po jep një përfundim që grupi terrorist i Milan Radoieçiçit do të duhej të identifikohet dhe që në rast ri-hyrjes tyre, të kemi informacionet relevante të ofruara nga KFOR-i, përmes Ushtrisë së Serbisë që ka obligim ndërkombëtar me njoftu”, shton Shala.
“Po në rast se pjesë e këtij grupi janë qytetarët e veriut, atëherë rreziku për një rigrupim është i lartë dhe kjo do të arsyeton prezencën e hetimeve por edhe personelit të PK-së në lokalitet e caktuara në veri”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.