Sipas raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramo, ka shumë mundësi që presidetni i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka ofruar armë presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në këmbim të mosnjohjes së Kosovës.
“Saktësisht: ka shumë gjasa që Vuçiqi u pajtua që të takohej me Zelenskyn që kryesisht t’i bëjë presion Ukrainës: armë për mosnjohjen e Kosovës. Unë shpresoj që Zelensky e kupton se çfarë rreziku politik mund të përfshijë një marrëveshje e tillë. Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë edhe në interesin e Ukrainës”, ka shkruar Viola von Cramo në Twitter.
E këtë paralajmërim të raportueses Cramo, po e mbështet edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.
“Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon vërtetë ka plot të drejtë, kur deklaron se ka shumë mundësi që Vuçiqi është pajtuar ta takojë Zelenskyn, në mënyrë që të ushtrojë presion mbi Ukrainën për të mos e njohur Kosovën, akt pas të cilit, çuditërisht nuk reagoi askush nga SHBA as BE. Krejt kjo vije si pasoj e mos kundërvënies së SHBA-ve, BE-së dhe faktorit perëndimor por edhe kapriciove idioteske të Edvin Kristaq Ramës, i cili në vend se ta përdorë rolin e shtetit shqiptar që ta ndihmojë Kosovën, duke i ofruar edhe Shqipëria armë Ukrainës, dhe mos lejuar që gjithkund Serbia të veprojë e para në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve, ai vazhdon të merret me inate banale e tregim muskujsh Kosovës, e cila gjithmonë ishte dhe mbetet dashamirësja më e madhe e Shqipërisë dhe krahu më i fort i çështjes shqiptare në Ballkan dhe më gjerë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, ndërkombëtarët urgjentisht duhet ta izolojnë Serbinë, për thyerje të marrëveshjes me Kosovën me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Gani Qarri.
“Në fakt dakordimet e arritura në bazë të propozimit gjermano-francez të nëntorit 2022, që me 23 shkurt u konvertua në qëndrim të BE-së, pas takimit me 27 shkurt të Kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuçiq në Bruksel, me ç`rast shefi për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borell deklaroi se të dy palët kishin pranuar dokumentin e ndërmjetësimit të BE-së sipas të cilit Serbia obligohej që të mos paraqes pengesa në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet tjera përfshi njohjet e reja, si dhe obligohet të heq dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, pas ndërhyrjeve më të reja, të Serbisë te Ukraina por edhe te Greqia dhe vendet tjera mos njohëse, që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, SHBA dhe BE do duhej, jo vetëm të reagonin urgjentisht por edhe ta ndëshkonin kriminelin Vuçiq dhe Serbinë hegjemoniste, me izolim politik dhe ekonomik, siç edhe parashihej në marrëveshjet e dakorduara, por ja që, përkundër të gjithave sa bën Serbia, SHBA e BE, vazhdojnë të heshtin, bashkë me Edi Ramën dhe Shqipërinë “vëllazërore””, deklaron Qarri.
Krejt kjo, sipas Qarrit i ka lënë Serbisë duart e lira që të veprojë kundër shtetit të Kosovës, çka u vërtetua edhe në takimin e Greqisë.
“Kështu që Serbia, duke pasur duart e lira për veprime publike kundër Kosovës, dhe mos hasur në asnjë reagim apo kundërshtime nga SHBA dhe BE, për aktet e kriminelit Vuçiq në kundërshtim të hapur me marrëveshjet e dakorduara me 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, duket se ashtu siç shprehet edhe vet zonja Viola Von Cramon, e cila ka informata të sakta nga dora e parë në BE, presidenti serb i ka ofruar armë Zelenskyt në këmbim të mosnjohjes së Kosovës”, thekson Qarri.
“Duke ditur se aktualisht Ukrainës në luftë me okupatorët rus, i duhen urgjentisht armë e municione nga cilido vend në Evropë e më gjerë, për mbrojtjen dhe çlirimin e territoreve të saj, Serbia po e përdorë edhe ofrimin e armëve, si forma më bizare të veprimit, që ta pengojë me çdo kusht njohjen e Kosovës nga Ukraina, akt i cili vije si pazari i radhës i kriminelit Vuçiq, i ofruar për Zelenskyn, që të paktën tani në këto momente, të mos e njoh vendin tonë”, shton analisti Qarri.
Por kur mund ta njoh Ukraina shtetin e pavarur të Kosovës?
“Në anën tjetër, duke njohur qëndrimin pozitiv të shumë deputetëve edhe në Parlamentin ukrainas pro njohjes së pavarësisë së Kosovës, po deshi SHBA, tendenca e Serbisë do të zhdukej si pluhuri para erës dhe Ukraina që tani do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, përndryshe nëse SHBA dhe BE, si dhe vendet perëndimore nuk ngritin asnjë kritikë ndaj Vuçiqit dhe nuk parandalojnë çmenduritë e Serbisë, as që mund të shpresohet më, në marrëveshje përfundimtare me këtë shtet agresor dhe gjendja e tanishme, do të shndërrohet në konflikt të përhershëm me potencial për shpërthime të reja dhe rrezikimin e paqes në Ballkanin Perëndimor, në rajon dhe truallin e Bashkimit Evropian!”.
“Duke pasur parasysh përvojën e hidhur të dekadës së kaluar me politikën e njëanshme të BE-së ndaj Serbisë, si dhe heshtjen e SHBA-ve, dhe vendeve perëndimore, ndaj veprimeve më të reja anti-Kosovë të kriminelit Vuçiq, vërtetë duhet të kemi frikë se mund të ketë fërkime të reja, nëse jo edhe konflikte të hapura, me lëshimet që përmes pajtimit në heshtje, SHBA, BE dhe vendet perëndimore, po i bëjnë hapur, një shteti agresor si Serbia hegjemoniste e udhëhequr nga pasardhësi i Millosheviqit, krimineli Vuçiq. Është vërtet e papranueshme se si të gjitha problemet nuk identifikohen me shkaktarin e tyre si Serbia, por me Kosovën shtetin më të ri, që është në tokën dhe të drejtën e vet legjitime, duke mos ndërmarrë asgjë praktike nga SHBA as BE, që t’i thuhet fajtorit në emër dhe ndryshojnë problemet e vërteta”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.