Policia e Kosovës ka konfirmuar se Enver Sekiraqa është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, pasi Gjykata e Apelit dy ditë më parë kishte vendosur që atë ta kthejë në paraburgim.
Policia ka njoftuar se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.
Lajmin e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës, duke thënë se veprimet e mëtejme policore do të bazohen në procedurat e parapara ligjore.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë.
“Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, thuhet tutje në përgjigje.
Më 03.05.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Në shpallje të Aktgjykimit, gjyqtari Agim Kuqi e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqën, por Apeli më datë 17.05.2024 vendosi që Sekiraqa duhet të kthehet në paraburgim.
Sekiraqa më 03.05.2024 ishte liruar të mbrohej në liri por që tashmë i njëjti me vendimin e Apelit duhet të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi i Themelores të marrë formën e prerë.