Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës të martën kanë realizuar një aksion në disa lokacione.
Aksioni i cili ka nisur në mëngjes dhe ka vazhduar deri në orët e pasdites kishte të bënte me dyshimet mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se gjatë operacionit të së martës kanë arrestuar 13 persona, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, të dyshuar për veprat penalen “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Pretendohet se me veprimet e tyre të dyshuarit e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.
Në një komunikatë për media thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot ka realizuar një aksion, me ç ‘rast janë kontrolluar dhe bastisur dy lokacione, përkatësisht në qytetin e Podujevës dhe Prizrenit, ku fillimisht janë arrestuar 13 persona të dyshuar, 12 prej tyre zyrtarë të ATK-së dhe një pronar i një biznesi”.
“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’ dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milion euro.
Sipas komunikatës “Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore”.
“Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale”.
Prokuroria thotë se në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.
Biznesmeni i arrestuar në Prizren, dyshohet se tentoi përmes faturave fiktive të përfitojë rreth 3 milionë euro
Një biznesmen i identifikuar si F.P. nga qyteti i Prizrenit, pronar i tre kompanive të ndryshme, është vënë në pranga nga autoritetet nën akuza për shmangie tatimore dhe përdorim të dokumentacionit tatimor të falsifikuar.
Sipas hetimeve, ai tentoi të përfitonte rreth 3 milionë euro në mënyrë të paligjshme nga shteti përmes kërkesës për rimbursim të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) duke përdorur fatura jo-reale.
Hetuesit pretendojnë se F.P. dorëzoi 23 fatura të falsifikuara me një total prej 18 milionë euro si prova të kostos për ndërtimin e një hoteli në Prizren – një ndërtim që më pas u zbulua se nuk kishte ndodhur.
Dy persona të tjerë, të njohur si B.B. dhe B.B., aktualisht të shpallur në kërkim nga autoritetet, dyshohen se i furnizuan biznesmenin me këto fatura të rreme.
Aksioni i së martës i policisë shtriu operacionet e bastisjeve jo vetëm në hotelin në fjalë, por edhe në rezidencën e biznesmenit në Prizren.
Nga kontrollet e realizuara, tek F.P. u sekuestrua një sasi e armëve, duke përfshirë tre armë të gjata, tre të shkurtra, pajisje elektronike, si dhe disa prova materiale të tjera.
Hetimi ka përfshirë gjithashtu 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, të cilët dyshohen se kanë njohur si të vlefshme faturat jo-reale, duke lejuar kështu të drejtën për rimbursim të TVSH-së në shumën e 2.8 milionë euro.
Një urdhër i Përmbarimit Privat ishte lëshuar për këtë rimbursim, por procedura është ndaluar në momentet e fundit për shkak të nisjes së procedurave penale ndaj të dyshuarve të përmendur.