
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut ka reaguar pas arrestimit të politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviqit, pas fishkëllimave që ai i bëri në drejtim të kryeministrit Albin Kurti.
KMDLNj-ja ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të bëjë hetime urgjente për arsyen e arrestimit, nëse sipas tyre, pohimet e medieve janë të vërteta.
“Nëse vetëm fishkëllima ndaj KM të Kosovës është arsye e vërtetë dhe e vetme, kjo do të ishte shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, mohim i shprehjes së lirisë së fjalës dhe të drejtës për protestë paqësore e që garantohet me ligjet e Kosovës dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Nuk është herë e parë që Arsenijeviq arrestohet dhe pas intervistimit policor lirohet”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.
Tutje, në reagim thuhet se KMDLNj-ja mbron të drejtën e lirisë së fjalës, shprehjes dhe protestës paqësore, pavarësisht përkatësisë kombëtare, besimit e bindjeve politike.