Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestimi i Berberit/ Anila Hoxha zbulon detajet nga dosja e SPAK, tregon bisedën me avokatin e ish-titullarit të ARRSH: Hetimi ka nisur 4 muaj më parë nga…

As pesë muaj pasi kishte regjistruar procedimin për katër vepra, SPAK kërkoi arrestimin e Evis Berberit, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i dorëhequr nga detyra pak përpara se të përfundonte në pranga.

Mbrëmjen e sotme gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje për këtë çështje, e ftuar në një emision televiziv Hoxha u shpreh se ka pasur edhe një komunikim me njërin prej avokatëve të Berberit, i cili ka deklaruar se nuk ka prova dhe hetimi është i paragjykuar.

“Hetimi ka nisur 4 muaj më parë nga agjentë të BKH, të cilët kanë regjistruar fillimisht hetime për 4 vepra penale, nisur nga korrupsion, pastrim parash. Pas hetimeve, nga bllokimi i telefonit dhe kontroll në zyra, SPAK ka konkluduar dhe kërkuar tre masa sigurie. Dje janë aprovuar masat dhe më pas janë kryer arrestimet dhe janë sekuestruar disa telefona. Akuza bëhet fjalë për periudhën nga 2019 deri së fundmi kur mbante detyrën e kreut të ARSH. Në 2017 një shoqëri ‘Vaal eng 10” me ortak Valter Begaj, i arrestuar dje, 100% aksioner, ia shet kuotat në 2018 Berberit, me shumën e 100 mijë lekëve, 100% të aksioneve. Në tetor 2018 Berberi e pagëzon këtë shoqëri me emrin ‘DAAM’… Katër muaj më vonë, shoqëria ‘DAAM’ i shitet shtetases, nën hetim në gjendje të lirë, Brunilda Buli, në vlerën e 500 milionë lekëve të vjetra, me kusht që likuidimi të kryhej brenda 5 vitesh.

Zonja Buli e zgjeron më pas aktivitetin me impiante voltaike, etj… Në finale, në 2021, shoqëria ‘DAAM’ me administrator i shitet personit të parë që e kishte shitur kompaninë. Kjo është skema e shitjes fiktive të kompanisë sipas dyshimeve të SPAK. Shërbime konsulence që ‘DAAM’ i ofronte ndaj shoqërisë tjetër që ishte shpallur fituese në dy episode të ndara, ndërkohë që dyshohet se janë e njëjta gjë që SPAK dyshon se ishte në zotërim indirekt të Berberit. Kam pasur dhe një komunikim me një nga avokatët e Berberit, i cili thotë se nuk ka prova dhe se hetimi është i paragjykuar”, tha gazetarja mes të tjerash.