Shqiptari ishte i ndaluar që nga viti 2014, pasi ishte një nga njëmbëdhjetë të kapurit në operacionin Ballkanik të kryer në Ekuador
Dy vjet pasi një gjykatës në Ekuador i dha Dritan Rexhepit lirimin e parakohshëm dhe më shumë se një vit nuk e dinte vendndodhjen e tij, pasi ai nuk respektoi masat e vendosura për lirimin, emri i shqiptarit doli sërish në skenë.
Autoritetet turke arrestuan kreun e grupit narkokriminal të njohur si Kompania Bello, në kuadër të një operacioni të përbashkët të quajtur Cartel.
Rexhepi u zhduk nga radarët e autoriteteve ekuadoriane në fillim të vitit 2022, kur nuk respektoi masat e urdhëruara nga gjyqtari Diego Poma, pasi miratoi kërkesën e shqiptarit për lirim të parakohëshëm për arsye shëndetësore. Në vend të burgut, ai u urdhërua të përdorë aparat elektronik, të raportojë vendodhjen në Gjykatë dhe u ndalua të dalë jashtë vendit.
Shqiptari ishte i ndaluar që nga viti 2014, pasi ishte një nga njëmbëdhjetë të kapurit në operacionin Ballkanik të kryer në Ekuador. Për krimin e trafikut të drogës, njeriu i njohur si Car ose Mbreti i kokainës u dënua në Ekuador me trembëdhjetë vjet burg, nga të cilat kreu vetëm shtatë.
Në fillim të vitit 2023, audiot dhe informacionet e rrjedhura nga media online La Posta, në kuadër të një vepre të quajtur Kumbari i madh, nxorën në sy të publikut Dritan Rexhepin ose Dritan Gjikën (shqiptari mbante të paktën gjashtë emra të rremë për të lëvizur).
Raportet nga Operacioni León de Troya raportonin, ndër të tjera, se Rexhepi mbante një marrëdhënie biznesi me Rubén Cherres. Midis tyre ata themeluan të paktën trembëdhjetë kompani, shumica e tyre të lidhura me kompanitë e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme.
Marrëdhëniet e zbuluara të biznesit mes Cherres, Rexhepit dhe mafies shqiptare tërhoqën vëmendjen jo vetëm sepse ishin biznese që me sa duket kishin të bënin me krijimin e kompanive frontale për transportin e drogës nga Ekuadori në Evropë dhe pastrim parash, por edhe për miqësinë e ngushtë të Cherres dhe Danilo Carrera, kunati i presidentit të Republikës, Guillermo Lasso.
Raportet e policisë tregojnë se karteli i udhëhequr nga Rexhepi transportonte ngarkesa të panumërta miliona dollarëshe droge nga vendet e Amerikës së Jugut në Evropë.
Dritan Rexhepi ishte në kërkim ndërkombëtar pasi kishte dënime për vrasje me dashje, trafik droge, rrëmbim, falsifikim dokumentesh udhëtimi dhe armësh. Para se të mbërrinte në Ekuador, shqiptari ishte arratisur nga burgjet në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë.