Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala të hënën është intervistuar në zyrat e EULEX-it, i ndaluar nga Gjykata Speciale.
Vëllai i Haxhi Shalës, Avni Shala, ka treguar se EULEX ishte në shtëpinë e tyre në orën 07:00, por që sipas tyre nuk kanë marrë asgjë. Ai tha se Shala është arrestuar, por sipas tij, ai pritet që të ekstradohet.
“Arrestimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Ne nuk kemi ditë asgjë. Unë kam shkuar në punë, më kanë lajmëruar më vonë familja, thanë që janë ardh e kanë marrë policia…Arsyeja po thonë që është pengimi i drejtësisë, diçka tjetër nuk ka. Forca të shumta të EULEX-it ka pas, por nuk kanë marrë asgjë, nuk është bastise hale kurgjo. Ka zgjatë 30 minuta. Nuk është lejuar që të komunikojmë më ta hiç, ia kanë marrë me telefon me krejt.
Kam fol me vëlla edhe djalë të vëllait, ai për momentin është arrestuar, po flitet që kanë me ekstradu. Këto arrestime janë të paligjshme edhe kjo gjykatë, me arrestuar njerëz që kanë dhënë kontribut për vendin e vet është e paarsyeshme. Telefoni i është konfiskuar, drejtësisë nuk i ik, i është përgjigjur drejtësisë. Telefoni verës i është marrë”, ka deklaruar ai.
Për arrestimin e ish- deputetit Haxhi Shala dhe komandantit i njohur me nofkën Topi, ka folur ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, i cili njëkohësisht ka qenë shok i luftës me të.
Miftari në një prononcim për “Bota sot”, thotë se me njohurit e tij Shala nuk ka pasur mëkate të luftës.
“Me komandant “Topin” Haxhi Shalën edhe pse politikisht dallojmë shumë, por njihemi që nga koha e luftës, e kam shok të luftës dhe kemi ardhur të dytë si mijëra luftëtarë tjerë nga perëndimi në Kosovë në luftën e UÇK-së, gjersa shumë qytetarë të tjerë iknin në atë kohë nga Kosova në perëndim, ne e kemi bërë të kundërtën kemi ardhur vullnetarisht nga perëndimi në Kosovë. Me të kemi qenë edhe koleg në akademinë e mbrojtjes pas luftës, është një atdhetar i madh nuk është sherri i askujt dhe mesa di unë Haxhi Shala nuk ka mëkate të luftës për t’i larë para askujt”, deklaron Miftari.
Naim Miftari
Sipas tij, arrestimi i Shalës mund të jetë për shkak të tentimit për të ndikuar te ndonjë dëshmitar.
“Sa i përket arrestimit të tij nga Gjykata Speciale, mendoj se ky arrestim ka të bëj me tentimin e ndikimit të ndonjë dëshmitari të prokurorisë speciale, nëse me të vërtetë ka tentuar të ndikojë te ndonjë dëshmitar, atëherë i dëshiroj qëndrim të këndshëm në burg, pasi kjo është thyerje e ligjit, tentim të shtrembërojë gjykimin që e kanë votuar vetë në parlamentin e Kosovës. Nëse tenton dikush të ndikojë në dëshmitar kjo është një vepër penale, është direkt tentim i pengimit të drejtësisë”, pohon ish- agjenti i ShIK-ut.
Tutje, sipas Miftarit, arrestimi i Shalës nuk do të jetë i fundit, dhe gjykimet në Hagë do të zgjasin së pak 10 vite.
“Nuk e besoj se është arrestimi i fundit nga Gjykata Speciale të gjithë ata që tentojnë të ndikojnë në dëshmitar duhet ta dinë se sigurt do të arrestohen dhe do të gjykohen, pasi në Gjykatë Speciale nuk vijnë gjyqtarët, as prokurorët nga KGJK, KPK, domethënë nga akademia e Adem Grabovcit e Pronto mafisë dhe as nga akademia e komunistëve të Kumrovecit si Aleksandër Lumezit, Sylë Hoxhës, Blerim Isufi Kalludra, Milaku, Kabashi, Hajdari… Sa i përket zgjatjes së gjykimit, ky gjykim do të zgjas së paku edhe 10 vite të tjera dhe nëse vërtetohet fajësia e ndonjë të akuzuari për krime luftë dënimet do të jenë shumë të rënda, nuk ka në gjykatën e Hagës dënime me kusht, apo dënime me të holla për krime siç e bëjnë drejtësinë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar në Kosovë”, shton Miftari.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.
Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.
Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.
Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.