Deputeti i PDK-së në Kosovë, Hisen Berisha, është shprehur se arrestimi në Tiranë i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhajt, bie ndesh me të drejtat e njeriut.
Komentet Berisha i bëri në News24, ku foli mbi arrestimin e Goxhajt, teksa shtoi se UÇK ka bërë një luftë të drejtë dhe ka respektuar gjithë normat ndërkombëtare brenda mundësive.
Ai tha gjithashtu se raporti i Dick Martyt është “e keqja më e madhe që i është bërë Kosovës pas luftës”, gjë që sipas tij, ka prekur edhe Shqipërinë.
Berisha bëri thirrje që qeveria shqiptare të kërkojë llogari nga Këshilli i Evropës për pretendimet e tyre mbi Shtëpinë e Verdhë.
“Arrestimi i Goxhajt bie ndesh me të drejtat e njeriut, është shkelje e tyre. Unë mendoj se qeveria shqiptare nuk duhet të lejojë ekstradimin e Dritan Goxhajt. Duhet të kërkojë llogari nga Këshilli i Evropës për pretendimet mbi Shtëpinë e Verdhë.
UÇK ka respektuar gjithë normat ndërkombëtare aq sa ka pasur mundësi dhe besoj se në asnjë rast nuk kemi dalë kundër tyre. UÇK ka bërë një luftë të drejtë. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të ndalur këtë abuzim. Raporti i Dick Martyt është e keqja më e madhe që i është bërë Kosovës pas luftës. Kjo gjë ka prekur edhe Shqipërinë”, u shpreh ndër të tjera Berisha.