Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, reagon KMDLNJ: A është e domosdoshme të udhëtohet përmes Serbisë?

Autoritetet serbe në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë arrestuan kanë arrestuar të premten ish-ushtarin e UÇK-së, Hasan Dakaj nga Prizreni, e që sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) nuk ishte arrestimi i parë dhe sigurisht as edhe i fundit i ushtarëve të UÇK- së.

Sipas KMDLNJ, para katër vjetëve ishte arrestuar, po me këtë pretekst edhe Nezir Mehmetaj, i cili ende mbahet në burgjet e Serbisë.

“KMDLNJ disa herë përmes reagimeve publike kishte kërkuar që të gjithë ata që mund të arrestohen mos të udhëtojnë nëpër Serbi aq më parë që kanë shumë mundësi tjera udhëtimi, pa qenë e nevojshme kalimi nëpër Serbi. Kush ka dëgjuar ka kaluar më mirë. Kush nuk ka dëgjuar është përballur dhe po përballet me procese gjyqësore që edhe po zgjasin shumë sikur që janë të kushtueshme materialisht”, thuhet ne reagimin e KMDLNJ, transmeton Telegrafi.

“Për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Serbinë, autoritetet kosovare nuk kanë mundësi të sigurojnë mbrojtje efektive juridike e as të monitorojnë trajtimin e tyre gjatë mbajtjes në arrest, qoftë në paraburgim, qoftë gjatë vuajtjes së dënimit. Autoritetet kosovare, në pamundësi të sigurojnë përkrahje për të arrestuarit, shqiptarë dhe shtetas të Kosovës, mjaftohen me deklarata publike politike duke kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët”.

KMDLNJ thotë se “Ndërkombëtarët me këtë rast zbatojnë standarde të dyfishta, interesohen për serbët e arrestuar në Kosovë dhe aspak për shqiptarët e arrestuar në Serbi. Në rastin konkret, arrestimit të Hasan Dakaj autoritetet kosovare duhet të sigurojnë mbrojtje juridike dhe të përkrahin materialisht familjen e të arrestuari gjatë vizitave anëtarit të arrestuar dhe gjatë qëndrimit në Serbi”.

“Autoritetet kosovare duhet të kërkojnë nga ndërkombëtarët, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të vizitojë të arrestuarit, shtetas të Kosovës nëse iu respektohen të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria”.

“Nëse sigurohen kushtet, KMDLNj është i gatshëm në çdo kohë të vizitojë të arrestuarit, shtetas të Kosovës që mbahen në burgjet e Serbisë, eksluzivisht nga pozita e monitoruesit të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Prania e monitoruesve gjatë mbajtjes së të arrestuarve ne qendrat e ndalimit sikur edhe gjatë gjykimit krijon siguri më të madhe për personat e privuar nga liria dhe një proces gjyqësor më të drejtë dhe më transparent.”, thuhet në reagim.