Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestimi i “Lizës”, familja Riza me shpresë për epilog për vrasjen e Triumfit

Mbi 15 vite arrati kanë marrë fund këtë të diel për të shumëkërkuarin Ilir Abdullahu, një prej të dyshuarve për vrasjen e policit Triumf Riza, në vitin 2007.

Pas prangosjes së tij një ditë më parë nga Policia në Batllavë të Podujevës, Prokuroria tashmë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

I lodhur nga stërzgjatja e procesit gjyqësor, babi i Triumfit ende ka shpresë, se drejtësia për të birin do të arrijë ndonjëherë.

Shefqet Riza, thotë se Iliri së bashku me një person tjetër, kanë qenë njerëzit kyç në grupin e udhëhequr nga Enver Sekiraqa.

“Ky ka qenë pjesë aty, bile ka qenë thonë ky edhe ai qekë Liza, bile kanë qenë edhe të armatosur atë ditë edhe me armë të gjata, se i kanë parë është edhe një dëshmitarë që i ka parë që ka dëshmuar, në Gjykatë, kanë qenë të vendosur me vra, por këta dy kanë qenë kryesorët me bandën e Enver Sekiraqës”, ka thënë Riza.

Riza tutje tregon, se problemet me të akuzuarit për vrasjen e të birin, ende nuk kanë përfunduar.

Ai thotë se shpesh marrin kërcënime për të mbyllur rastin, por që asnjëherë nuk do të dorëzohen.

“Jemi kërcënuar edhe e kemi njoftuar, kryeprokurorin e EULEXIT, edhe këtë tonin, por nuk kanë marr ndonjë veprim, na vazhdimishrt kemi probleme, në forma të ndryshme por ne nuk frikësohemi, edhe djali shkon në punë me përcjellje”, ka shtuar Riza.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se arrestimi i një personi kaq të kërkuar, dhe që është ndër personat kyç të përmendur në dosjen e prokurorisë, do të ndihmojë edhe që rasti i vrasjes së Triumfit të marr epilog përfundimtar.

“Arrestimi i tij do të ketë pasoja edhe në rrjedhën e procedurës penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sepse do të dëgjohet edhe versioni i tij në këtë procedur, është shumë e rëndësishme që i dyshuari është kapur..Rasti i Enver Sekiraqës është ende duke u zvarritur në Gjykatë qe shumë vite, dhe nuk ka marr ende epilog përfundimtar, përkundër që është rasti më i vjetër”, ka thënë Lavdim Makshana.

Për vrasjen e 27 vjecarit, që kishte ndodhur më 30 gusht të vitit 2007 në parkingun e lagjes Santea të kryeqytetit, i dënuar me 35 vjet burg është Arben Berisha.

Ndërsa për nxitjen në vrasjen e Rizës, është i akuzuar edhe Enver Sekiraqa por që rasti i tij ende nuk ka marrë një vendim të formës së prerë nga Gjykata.

Përveç Abdullahut, Arben Berisha, Fitim Avdiu dhe Rrahim Abdullahu, akuzoheshin se si grup i organizuar nga Enver Sekiraqa, kishin organiuzar vrasjen e Triumf Rizës, për motive të ulta.

Në kërkesën për paraburgimin e Abdullahut, të parashtruar nga Prokuroria Speciale, thuhet se ai në bashkëkryerje me të pandehurit Arben Berisha, Fitim Avdiu dhe Rrahim Abdullahu, nën organizimin e Enver Sekiraqës e të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta Triumf Rizën.

Kjo sipas Speciales, kishte ndodhur për shkak se Riza, e kishte rrahur Sekiraqën në lokalin “Swiss Casino”.